• Shqip

Shkollat i ndërtuam, cilat reforma duhet të i ndërmarrim?

29.06.2017 Bukurije Zejnullahu

Arsimi është shtylla e zhvillimit ekonomik dhe social të një shteti. Por, si rrjedhojë e cilave problemeve po kemi ngecje në këtë “shtyllë”? Cilat janë prioritetet që duhet të i kemi për vitet e ardhshme për të avancuar sistemin e edukimit? Megjithëse viteve të fundit ka pasur një fokus më të madh në zhvillimin e arsimit, ky fokus ka qenë vetëm në infrastrukturën shkollore. Edhe pse infrastruktuara është e domosdoshme për të realizuar një proces aq kompleks sa është mësimdhënia, prap problemet në cilësi mbesin të pazgjidhura. Ndryshimet që u bënë në arsim gjatë dekadës së fundit kanë qenë një hap ngutshëm për proceset e reformave në cilësinë e arsimit. Zbatimi i reformave të pamenduara mirë në plan afatgjatë, për të ofruar cilësi dhe vlerësim të saktë të procesit të edukimit dhe mësimdhënies ka bërë që këto reforma të dështojnë. Kjo vërehet më së miri tek rënia e interesimit apo e motivit për mësimnxënie nga ana e nxënësve që në fund reflekton në mossuksesin tyre.

Mungesa e kabineteve për praktikim të teorisë në shkolla ende bën që nxënësit mos të jenë në hapa të njejtë me bashkëmoshatarët e vendeve perëndimore. Kjo është treguar poashtu në rezultatet e Organizatës Ndërkombëtare për Vlerësimin e Nxënësve – PISA,  ku Kosova ishte në mesin e pesë shteteve me renditjen më të ulët ndërkombëtare dhe e fundit nga vendet në rajon. Performanca e nxënësve tonë 15 vjeçar ishte në pjesën më të ulët në të gjitha disiplinat e testuara. Sipas kësaj, nxënësit në vendin tonë nuk janë të përgatitur që t’i vënë në shfrytëzim njohuritë e tyre edhe në rastet kur i posedojnë ato. Andaj duke i pasur parasysh këto rezultate dhe për të dal nga kjo gjendje duhet që arsimi të caktohet prioritet i shtetit.

Sa i përket problemeve ende të pa adresuara kemi të bëjmë me ndryshimin e kohëpaskohshëm të teksteve shkollore. Kjo si rrjedhojë e mos-shqyrtimit të detajuar se çka po ju ofrohet nxënësve në klasë dhe se a është atraktive për ta. Problem i pa adresuar konsiderohet edhe mënyra e testimit për vlerësim të brendshëm dhe të jashtëm të nxënësve.  Kjo duke përfshirë testimet për gjysëmvjetor, si dhe testin kombëtar për klasët e nënta dhe atë të maturës. Këto teste janë thjeshtë për të testuar në mënyrë mekanike se sa kanë mbajtur mend nxënësit përgjatë një kohe të caktuar dhe jo në dije e njohuri. E mos të flasim për mbarëvajtjen e testimeve ku vetëm rezultatet tregojnë se sa i saktë është vlerësimi i bërë.

Këta/o të rinj/reja janë resursi i vetëm që mund t’i siguroj zhvillim të qëndrueshëm vendit, prandaj edhe duhet të angazhohemi maksimalisht. Kjo gjeneratë që po arsimohet në këto kushte duhet që të sigurohemi që të jetë e mirë e arsimuar që të jetë konkurrente në tregun e punës. Sigurisht, për t`i zgjidhur të gjitha këto probleme duhet angazhim maksimal i profesionistëve, kohë, investime kapitale dhe mbi të gjitha vullnet. Ajo që duhet të jetë shqetësues për shoqërinë tonë e në veçanti për mësimdhënësit, prindërit dhe Ministrinë e Arsimit është fakti që për shumë nxënës shkolla konsiderohet diçka jo-atraktive dhe e dëshirueshme. Andaj, Ministria e Arsimit duhet të zhvillojë politika dhe të hartoj plane, zbatimi i të cilave do të bëjë shkollën një ambient më të dashur, atraktiv dhe stimulues për nxënësit. Kjo do të kishte impakt direkt në ngritjen e cilësisë, rritjen e interesimit dhe në rezultate më të kënaqshme në përmbushjen e objektivave të parapara nga vetë institucioni.

Shteti i Kosovës ka obligim të ndërtoj një sistem arsimor që ofron cilësi, sepse Kosovës i duhet të ketë një shoqëri e cila zhvillimin e vet e bazon me dije. Përmes ngritjes së cilësisë së arsimit zhvillohet edhe ekonomia e vendit tonë. Prandaj, duhet të fillohet me zbatimin e praktikave dhe paisjes së shkollave me teknologji të informacionit si parakusht i ngritjes së cilësisë së arsimit. Poashtu është e rëndësishme të bëhet ngritja e cilësisë së teksteve mësimore. Është i obligim i institucioneve shtetërore dhe shoqërisë tonë në përgjithësi që Kosova të jetë një shoqëri e cila zhvillimin e vet e bazon në dije, ndërsa qytetarët e saj të posedojnë njohuri dhe shkathtësi që i bëjnë të punësueshëm.