• Shqip

Sfidat në qeverisje gjatë vitit të parë të mandatit

23.10.2018 Ngadhnjim Halilaj

Diskutimi për  zgjedhjet nuk është ndonjë risi në shoqërinë kosovare, sidomos kur bëhet fjalë për partitë politike dhe kandidatët e tyre. Kur flitet për kandidatët për kryetarë komune, na kujtohen premtimet e shumta, por pak të mbajtura.

Premtimet e partisë apo të kandidatit?

Në shoqërinë kosovare mbajtja e premtimeve është konsideruar si diçka e shenjtë dhe e obligueshme. Kjo ka ndryshuar në këto 18 vitet e fundit. Një rol kyç në këtë ndryshim të mendësisë kanë luajtur premtimet e dhëna nga politikanët. Në çdo palë zgjedhje të organizuara në Kosovë numri i premtimeve të dhëna nga liderët kosovar është shtuar, me këtë edhe pritshmëria e qytetarëve ndaj tyre, derisa realizimi i tyre vetëm sa është zvogëluar, dhe paralelisht edhe besimi i qytetarëve ndaj udhëheqësve politik.

Në garën për të fituar postin e të parit të komunës  kandidatët kanë dhënë me qindra premtime, ku pjesa më e madhe e tyre mund të konsiderohen absurde dhe të parealizueshme në parim. Si pasojë, pas marrjes së mandatit kanë hasur në pengesa dhe pamundësi për realizmin e tyre premtimeve.

Njëra prej arsyeve është trashëgimi i programeve të aprovuara nga kryetari i mandatit të kaluar. Kjo ka pamundësuar futjen e projekteve të reja gjë që ka ndikuar në zhgënjimin e elektoratit .

Servimi i projekteve të gatshme nga partia që e kandidon, është një element tjetër që i bënë shumë projekte të dështojnë. Kandidati nuk ndien pronësi për këto projekte, dhe si rrjedhojë as edhe ndonjë  emocion të veçantë për t’i realizuar.

Zgjedhje të drejta dhe qeverisja e mirë

Zgjedhjet e fundit do të mund  të konsiderohen si hapi i parë drejt një demokracie të mirëfilltë. Së pari, këto zgjedhje janë cilësuar si më të rregulltat deri më tani, pa incidente të mëdha në ditën e zgjedhjeve. Së dyti, për dallim nga mandatet e kaluara, këtë herë është bërë konstituimi i kuvendeve komunale brenda afateve ligjore, gjë që ka qenë sfidë në të kaluarën, sidomos për shkak të mospajtimit politik ndërmjet partive politike. Së treti, kemi kryetar të rinj, shumë entuziastë për të treguar performancë të mirë me tendencë të rritjes së përkrahjes qytetare, kështu duke u munduar që ta sigurojnë edhe mandatin e dytë qeverisës.

Përmes këtyre zgjedhjeve është treguar edhe ndryshimi i mendësisë së elektoratit, sado i vogël, pasi që përmes votës kanë ndëshkuar udhëheqësit e vjetër të komunës dhe kanë sjellë në krye politikan të rinj dhe entuziast për të performuar mirë, në të mirë të komunitetit duke siguruar sundimin e ligjit në komunën me të cilën udhëheqin.

Qasja e re e treguar gjatë vitit të parë të mandatit tregon gatishmërinë e kryetarë ve për një qeverisje të mirë, demokratike. Mund të përmendim rastin e hapjes së kontratave me operatorë ekonomik nga disa komuna të Kosovës, kështu duke plotësuar njërin prej akteve të qeverisjes së mirë – transparencën.

Pavarësisht kësaj, Komunat  duhet të punojnë më shumë drejt llogaridhënies dhe gjithëpërfshirjes së qytetarëve në proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse. Kjo do të mundësohej duke krijuar një plan komunikimi ndërmjet zyrtarëve komunal dhe qytetarëve të cilët ata përfaqësojnë, për të dëgjuar rreth nevojave dhe brengave të komunitetit të tyre dhe bashkërisht të mundohen të gjejnë zgjidhje për ato.

Komunat duhet të forcojnë komunikimin dhe bashkërendimin e projekteve të tyre edhe me nivelin qendror. Në këtë drejtim ka filluar punën edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), e cila për herë të parë ka filluar vlerësimin e performancës së Komunave si dhe monitorimin e punës së tyre, duke ofruar grante për ato komuna që performojnë mirë e që plotësojnë kushtet e vendosura nga kjo ministri.

Si rrjedhojë, 25 komuna kanë përfituar nga skema e granteve të MAPL-së, që është një indikatorë pozitiv për bashkëpunimin ndërmjet qeverisjes lokale dhe asaj qendrore, dhe në të njëjtën kohë konfirmon tendencën e kryetarëve të rinj të komunave për të performuar sa më mirë gjatë mandatit të tyre të parë.

Nëse ky lloj bashkëpunim ndërmjet nivelit qendror dhe lokal forcohet edhe më tej, atëherë do të mund të shohim një funksionim më të mirë të sistemit qeverisës, dhe si rrjedhojë edhe mundësi për realizim të projekteve të premtuara gjatë fushatës zgjedhore.