• Shqip

Rinia Pasive: Kush janë shkaktarët?

20.11.2018 Tringa Berisha

Rinia shqiptare kohëve të fundit është mjaftë pasive dhe nuk shohim ndonjë aktivitet apo zhvillim i cili mund të zgjoj ata nga gjumi.

Situata politike dhe ajo e sigurisë kanë ndikuar shumë që ne qytetin e Mitrovicës pasiviteti tek të rinjtë të jetë me i theksuar. Veç kësaj pasivitetin e të rinjve mund ta ndërlidhim edhe me mungesën e orientimit dhe informimit nga pushteti lokal por edhe nga organizatat e shoqërisë civile të cilat kanë target rininë.

Një numër relativisht i madh i të rinjve në qytetin e Mitrovicës, por ngjashëm edhe në qytetet tjera të Republikës së Kosovës, pas përfundimit të studimeve e kanë të vështirë të gjejnë një punë stabile e cila është në përputhje me profesionin e tyre, ku si pasojë e kësaj detyrohen të punojnë në fusha krejtësisht të ndryshme, si kamerjerë apo shitës/e në super markete. Këta janë shkaktarët pse shumica dërmuese e të rinjëve dëshirojnë ta braktisin vendin.

Sikur mos të mungonte kjo, përveç vështirësisë për të siguruar një vend të punës, arsye tjetër që mbanë të rinjtë pasiv janë edhe mungesa e dukshme e aktiviteteve kulturore, sportive e rekreative. Andaj është mëse logjike që shohim kafiteritë e tej mbushura nga ta, apo frekuentimin në masë të madhe të rrjeteve sociale.

Mungesa e strategjisë së bashkëpunimit ndërmjet organizatave rinore dhe pushtetit lokal për të fuqizuar politikat dhe programet rinore, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetës së të rinjëve dhe statusit të tyre shoqëror, kanë bërë që të rinjët të jenë mos kërkues ndaj të drejtave të tyre, që mos të ndërmarrin vetiniciativa për adresimin e problemeve të tyre nga organet gjegjëse.

Brengë tjetër e të rinjve është edhe politizimi dhe familjarizimi i  vendeve të punës, gjë që i bënë ata të mendojnë më shumë se dy herë për të konkurruar në një vend të punës, pa shpresën se do të ftohen qoftë edhe në intervistë, e lëre më të hyn në rrethin e ngushtë apo të punësohen.

Ajo çka të bënë të mendosh është që pjesa më e madhe e rinisë ndjekë një sjellje pasive e dëshpëruese, duke kërkuar llogari vetëm ndaj shteti por asnjëherë ndaj vetës. Disave i’u ngjallë  nostalgji Mitrovica dhe muzika Rok, qe ne periudhën e para luftës në Kosovë ishin më shumë se 5 grupe të Rokut dhe që kishin ushtruar veprimtarinë e tyre muzikore në kushte shumë të ​vështira, por që tani ndonëse të gjitha kushtet janë të ofruara nga Drejtoria e Kulturës Rinisë dhe Sportit në Mitrovicë në këtë aspekt, akoma asnjë bend i muzikës Rok nuk ka kërkuar hapësirë ose mjete për të punuar me bendet e tyre.

Mungesa e hapësirave publike të informacionit rreth zhvillimeve të aktiviteteve me qëllim të ngritjes së vetëdijesimit si dhe për shqetësimet specifike me të cilat rinia jonë përballet në jetën e përditshme, si dhe rritja e besimit Qeverisë së Republikës së Kosovës duke ofruar informata të drejtpërdrejta për të rinjtë.

Kultura jonë, e shtyrë nga sistemi arsimor dhe media shpesh I trajton të rinjtë si marrës pasiv të informacionit dhe jo si pjesëmarrës aktiv në jetën e komunitetit. Të rriturit mund të ndajnë fuqinë me të rinjtë, të promovojnë zëra të rinj në shoqëri, që të rinjët të njihen si burime dhe t’u epen role lidershipi si organizues dhe planifikues, sepse të rinjët kanë energji t’i shfrytëzojnë ato maksimalisht për ambiciet e tyre ngase “Ambicia është hapi i parë i suksesit, ndërsa hapi i dytë është veprimi”, thënie kjo shumë e dëgjuar.