• Shqip

Raporti për Kosovën 2015, 2016…. Progres apo Regres?

15.11.2016 Blerina Ramaj

Komisioni Evropian në kuadër të strategjisë për zgjerim të Bashkimit Evropian publikon çdo vit raporte vjetore mbi vendet kandidate dhe ato potencialisht kandidate të Ballkanit që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Për këto vende tashmë 10 vite e më shumë Komisioni Evropian për çdo vit publikon raportet të cilat pasqyrojnë situatën në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës – si Kriteret politike, ekonomike dhe standardet evropiane. Vlerat kryesore të BE-së kanë të bëjnë me ekonominë e lirë të tregut, lëvizjen e lirë të njerëzve dhe demokracinë e vendit. Me hyrjen në fuqi të  Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim, preken të gjitha sferat e jetës duke filluar me ato që kryesisht kanë të bëjnë me rregullimin e tregtisë së lirë të mallrave ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Por aspekti kryesor i saj ka të bëj me rregullimin e sundimit të ligjit, demokracisë, të drejtave të njeriut dhe marrëdhëniet rajonale. Se ku qëndron Kosova vit pas viti në raport me përmbushjen e kritereve të Kopenhagës është pyetja kryesore që adresohet në të ashtuquajturin “ Raporti i progresit”.

Raporti i këtij viti nuk mund të quhet Raport i Progresit apo i Regresit pasi që ai paraqet një pasqyrë të saktë mbi realitetin që mbizotëron, mbi punën që është bërë dhe që duhet bërë për ti përmbushur kriteret e cekura. Që nga viti i kaluar Komisioni Evropian ka ndryshuar metodologjinë e raportit. Raporti i sivjetshëm për Kosovën në krahasim me raportin e vitit të kaluar, është që tani Komisioni Evropian përdor një gjuhë ndryshe dhe shkallë tjera të vlerësimit mbi të cilën i adresohet Kosovës dhe se ky raport është më i balancuar sa i përket detyrave dhe arritjeve. Për herë të parë në raport përdoren terme specifike se kujt i adresohen rekomandimet apo edhe kritikat. Ku më parë qëndrimi ka qenë se Kosova duhet të ketë gjyqësor të pavarur tani kemi rekomandime që Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial dhe Policia e Kosovës duhet të punojnë për të krijuar një mjedis të pavarur dhe të punojnë në mënyrë të pavarur për sundim të ligjit. Poashtu vendosja e prioriteve në të cilat duhet të i’u kushtohet një vëmendje e veçantë. Raporti pothuaj se është përsëritje e raporteve të viteve të kaluara meqë përsëri kërkohet Reformimi i Administratës Publike, pavarësia e gjyqësorit, ndalimi i ndikimeve politike në administratë, auditimi i financave të partive politike, zbatimi i ligjeve e të ngjashme.

Një mëdyshje hidhet mbi këtë raport se a me të vërtetë pasqyron  situatën në Kosovë duke marrë parasysh mostrat të cilat përdoren për të arritur tek një raportim i saktë mbi gjendjen në Kosovë. Duhet konsideruar se Ambasadat e vendeve anëtare të BE-së dhe mos rritja e përfshirjes së organizatave joqeveritare lokale, nuk mund të japin një pasqyrë të drejtë të situatës sido që të jetë ajo.  Edhe pse raporti mbi Kosovën vit pas viti tregon progreset të cilat bëhen rreth shtet-ndërtimit, ku përfshihen fillimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar prapë vërehet një stagnim apo regres kur vjen koha që të merren vendimet përfundimtare kunddrejt dukurive të lartcekura. Rasti i (mos)ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit në mes Kosovës dhe Malit të Zi si kusht për liberalizmin e vizave, tregoi që nuk ka konsesus shoqëror për marrjen e vendimeve të vështira që kërkojnë dialog të brendshëm. Ndikimi i ndërkombëtarëve sa vjen e zvogëlohet në raport me vendosjen e presionit të tyre karshi liderëve tanë për të marrë vendime.  Është e arsyshme që të vlerësohet se ka ardhur koha që liderët tanë të fillojnë të jenë të pavaruar dhe të jenë bashkëpunues me njëri tjetrin për marrjen e vendimeve. Edhe pse shoqëria kosovare është shumë e ndarë dhe çështja e ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi është politizuar tejmase, agjenda evropiane dhe integrimi i Kosovës në BE është agjenda e vetme shtetërore. Kjo agjendë shtetërore përfshin reforma ekonomike, administrative, për integrimin e Kosovës në strukturat Euro-Atlantike por, zbatimi i saj lë shumë për të dëshiruar. Kjo për shkak të vlerësimit qytetar se Kosova në këtë drejtim është shumë mbrapa në krahasim me vendet anëtare por edhe nga vet vendet tjera të Ballkanit. Mungesa e zbatimit të reformave dhe ligjeve të aprovuar bënë që Kosova të mos jetë në gjendje të ecë përpara me agjendën e saj evropiane. Kosova duke qenë shtet i ri ka adoptuar në sistemin e saj shumë praktika të mira evropiane, të cilat e kanë bërë shumë konfuze qytetarët se ku të adresojnë çështjet e tyre për shkak të numrit të “Këshillave” dhe “Agjencioneve” të pavarura që tashmë janë bërë problem meqë ato funksionojnë të fragmentuara dhe nuk ka linja të qarta të llogaridhënies dhe përgjegjsisë.

Por megjithatë, Raporti nuk i adresohet vetëm institucioneve publike, por është gjithëpërfshirës dhe i adresohet të gjithë qytetarëve të Kosovës. Shqetësimet dhe inputet e shoqërisë civile janë marrë parasyshë dhe tani rekomandimet janë një mundësi e mire për ti shtyrë gjërat përpara, kjo sa i përket konsultimeve publike me shoqërinë civile dhe ndërtimin e transparencës në financimin e shoqërisë civile. Raporti duhet të përvetësohet dhe të shërbejë si pikënisje për fillimin e reformave në shtetin tonë. Këto reforma nuk duhet të bëhen për të përmbushur detyrimet ndaj Bashkimit Evropian, por për ta përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve tanë.