• Shqip

Qyteti i Gjilanit, qytet i pamundësive

17.11.2017 Nita Hoxha

Qytet me teatër të shfrytëzuar gati se vetëm për mbajtjen e fushatave elektorale, qytet pa kinema, pa qendra rekreative, e mos të flasim për gjendjen e disa shkollave, me një fjalë “Qytet i pamundësive”. Të rinjtë ende jo plotësisht mund  t’i fusim në grupin e njerëzve të frustruar dhe rebeluar ndaj qeverisjes, qoftë asaj lokale apo nacionale. Edhe pse shume prej tyre ende besim-plotë ndaj ndryshimeve që premtohen nga subjekte dhe përfaqësues politikë, në anën tjetër vërehet dukshëm mos aktivizimi i tyre dhe bojkoti ndaj aktiviteteve politike apo qoftë edhe debateve të mbajtura me kandidatët për kryetar komune e edhe një numër më i vogël në debatin me anëtarët komunal të zgjedhur tashmë të përfaqësojnë interesat e qytetarëve në kuvendin komunal për katër vitet e ardhshme. Tendencën e kandidatëve për përfitimin e votave dhe besimit ndaj tyre e kemi vërejtur tash e dy muaj, që kur çdo bisedë, vend e portal asocionte me fjalën zgjedhje. Aktiviteti i kandidatëve ishte rritur dukshëm, takimi me qytetarë, të rinjtë e të moshuar, të punë e të pa punë, kësi sosh të fitonin besimin dhe votat e tyre për të siguruar një karrige më tepër në kuvend.

Nëse analizojmë listat e kandidatëve në komunën e Gjilanit por edhe në komunat tjera vërejmë një numër më të madh të të rinjve. Duket se subjektet politike në një formë kanë kuptuar rëndësinë e të rinjve si pjesë përbërëse e strukturave të tyre dhe tanimë roli i të rinjve nuk është thjesht mbajtja e posterëve apo shërbimet vetanake, por me të vërtetë shihet një mundësi e artë që të rinjtë të zgjedhin dhe të zgjidhen për të shtyrë përpara interesat e tyre. Kësaj radhe vendosën që të jenë më bindës dhe freskuan listat e tyre, për dallim nga zgjedhjet e kaluara ku vërenim një rahati të plotë të personave më në moshë të cilët të krijonin përshtypje që ndryshimet janë pothuajse të pamundura. Shumë prej kandidatëve të rinj në moshë fituan besimin e qytetarëve dhe tashmë janë pjesë e politik-bërjes në mënyrë direkte. Ky një fakt shumë shpresë-dhënës si ide sepse kush më mirë mund t’i dijë hallet e bashkë moshatarëve se sa vetë ata të cilët përballen me po të njëjtat probleme dhe shqetësime çdo ditë.

Me gjithë shpresën dhe iluzionin e ndryshimit, po të kthehem me këmbë në tokë dhe të flas për realitetin ku debatet me të rinjtë mbahen në të ashtu quajturën “Qendra e Rinisë” tashmë e shpëtuar nga një shembje e mundshme, me dyer dhe dritare të reja dhe të këndshme për syrin, një objekt i bukur mund ta quash, por një vend i ftohtë, i pa përdorur, me aktivitete aq të mangëta sa që mund të rangojmë në objektet jo funksionale. E çka na duhet një e tillë, kur qëllimi i saj aspak nuk përkon me realitetin. Me gjithë vullnetin e të rinjve të këtij qyteti për të qenë pjesë e aktiviteteve, trajnimeve e punëtorive të organizuara nga OJQ, talentëve të rijnë në pothuajse çdo fushë, si të artit, muzikës, sportit, pa lënë anash këtu edhe një numër të matematicientëve. Mbështetja institucionale qoftë morale apo financiare është dëshpëruese.

Megjithatë, vazhdojmë me premtime…

Anëtarët komunal duke i pasur të qarta nevojat e rinisë, thonë se do ta ngritin zërin për të gjitha shqetësimet e tyre në Kuvend, madje në disa raste gjatë debateve shohim edhe garën e cila tashmë ka filluar se kush do të flas i pari për problem të caktuar, kush do të ngrit si çështje kauzat e rinisë. Kështu duke parë kapacitetin e tyre si të rijnë, të vjen keq me raste kur i sheh në një pozicion të atillë duke mos mundur të bësh dallimin nga para-ardhësit e tyre në mënyrën se si debatojnë. Sidoqoftë, nëse vendosin të ndjekin shembujt e kaluar qe u servohen, të paktën arsyetime do të kemi, gjë që nuk ka munguar asnjëherë. Mos-kryerja e detyrave individuale si pjesë e qeverisjes lokale, lehtë shndërrohet në një ‘top zjarri’… gjuhet tek kryetari i Kuvendit Komunal, nga ai te kryetari i Komunës… e në fund tek Qeveria! Mungesë buxheti, mungesë e fondeve, mungesë e përkrahjes e një mori arsyetimesh të tilla…

Të bënë të mendosh fjalët “ik, këtu nuk ka shpresë”, mos vallë një shprehje e tillë është një mend e vërtetë? Kur konkurset e hapura për punë sa do të rralla tashme kanë një emër të rezervuar për persona të caktuar, kur kafet janë të mbushura plot të rijnë të cilët vendosin të qajnë hallet me njëri tjetrin deri sa në një kohë reale, personat të cilët kanë votuar si përfaqësues të brengave të tyre gjejnë rehati në zyret e tyre dhe xhirollogaritë bankare ndodh që pasurohen çdo ditë e më shumë. Mund edhe të ndodh, por në fund të ditës çka të mahnit me raste është prapë ajo copë shprese që të mbanë në këtë vend, që në mënyrë të tërthorët të kërkosh llogaridhënie, që të jesh pjesë e shoqërisë, dhe coftë edhe në mënyrë vullnetare të kontribuosh në gjallërinë e qytetit të heshtur. Katër vite të radhës, duke bashkëpunuar dhe kërkuar llogari për votën tonë, katër vite ndër të cilat do të vazhdojmë të presim ditë më të mira!