• Shqip

Politikat sociale në të mirë të zhvillimit të shoqërisë

11.07.2017 Valentina Abazi

Njohja e pushimit prindëror nga ana e burrave/baballarëve do të kishte me qenë një kontribut drejt zhvillimit të politikave sociale në Kosovë. Ashtu siç ligjet u njohin të drejta të barabarta të dy prindërve, po të njëjtat ligje shohim të sjellin një dallim të pushimit të dhënë mes prindërve. Korniza e tanishme ligjore vërehet dukshëm të ketë diskriminim ndaj njohjes së të drejtave prindërore, duke u fokusuar në të drejtat e nënës pas lindjes së fëmijës. Mirëpo, sa i përket çështjes se sa vihet në praktikë kujdesi dhe respektimi i të drejtave nga ajo  që burrave u garantohen me ligj për marrjen e pushimit atëror dhe nëse do ishin të gatshëm të marrin pushim më të gjatë mbetet ende pikëpyetje në shoqërinë tonë. Sipas ligjit aktual të punës, nënave u lejohet të marrin pushimin e lehonisë prej dymbëdhjetë (12) muajve, pushim i cili sipas këtij ligji është i rregulluar që nëntë (9) muaj do të jenë pushim me pagesë. Ky pushim, i cili është i domosdoshëm për prindërit, nuk sqarohet mjaftueshëm që të ketë zbatim nga të dy prindërit, siç është shfrytëzimi i këtij pushimi me marrëveshje ndërmjet prindërve, dhe ku babait e nënës i lejohet të vendosin së bashku se si dëshirojnë t’a shfrytëzojnë pushimin. Një praktikë e tillë, e cila deri më tani ka zbatim të dobët në Kosovë, do të kishe kontribuar ndaj ndarjes së barabartë të përgjegjësisë prindërore e cila do të kishe me qenë edhe në pajtueshmëri me ligjin për familje në Republikën e Kosovës.

Ligji për familje në Republikën e Kosovës mbështetet në disa parime të cilat do ndihmonin në rregullimin e marrëdhënieve familjare, ndër to e cila edhe mbështet temën e pushimit të përbashkët prindëror është “Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve dhe përgjegjësia e të dy prindërve për rritjen dhe edukimin e fëmijëve të tyre, ku fëmijë nënkupton personin nën moshën 18 vjeçare’’.  Një kujdes dhe përgjegjësi e marrë nga të dy prindërit ndaj fëmijëve të tyre sipas ligjit për familje duhet të jetë e barabartë, e një kujdes i tillë i përbashkët do të kontribuonte pozitivisht në rritjen e fëmijës. Në kohën të cilën supozohet të ketë pushim të përbashkët prindëror është periudhë kur fëmija ka më  shumë nevojë për prezencën e të dy prindërve pranë, duke u mësuar me idenë e kujdesit nga të dy dhe jo vetëm njërit prind. Megjithatë, gjendja e paraqitur në teori dallon sa i përket asaj në praktikë. Në Kosovë historia ka dëshmuar se gruaja, në këtë rast nëna, është ajo e cila duhet të ofroj kujdes në familje, e sidomos në rritjen e fëmijës. Kjo ide në shoqërinë tonë është ngjizur aq shumë sa që tani tentativa e baballarëve të rinj që të ndryshojnë atë praktikë nuk mirëpritet shumë lehtë nga shumica e gjerë. Në këtë kohë ne jemi dëshmitarë të një ‘’lufte’’ kundër traditave të cilat nxisin diskriminimin gjinor.

Në ndryshimin e kësaj tradite, duke promovuar të drejtën e burrave për të marrë pushimin për kujdesin ndaj fëmijës, do të i ndihmonte edhe fuqizimit të gruas në shoqëri dhe treg të punës. Ky ndryshim nuk do të shpinte më gruan të bëjë zgjedhjen mes karrierës dhe amësisë, por do të lejonte ato të mund të i bënin të dyja, dhe si e tillë ajo do mund të i përshtatet politikave të vendit të punës pasi që do të ketë edhe ndihmën e burrit në rritjen dhe kujdesin e të posa lindurit. Përfundimisht prej kësaj praktike do të arrihej një balancë gjinore dhe prindërore varësisht prej kërkesave dhe dëshirave të dy prindërve.Si përfundim, nëse ligji do të i njihte pushimin prindëror të përbashkët për rritjen e fëmijës dhe një gjë e tillë do fillonte të praktikohej, kjo do të i bënte edhe punëdhënësit shumë më korrekt me gratë. Në raste të caktuara në vendin tonë dihet që një prej vështirësive kryesore tek gratë për t’u kyçur në treg të punës është pushimi i lehonisë, pasi që punëdhënësi heziton të punësoj një grua nga frika se ajo do të krijojë familje. Mirëpo, një frikë e tillë nuk do të ishte nëse të drejtën për pushim për përkujdesje ndaj fëmijëve do të merrnin dhe zbatonin të dy prindërit. Pra, të praktikuarit e pushimit të përbashkët prindëror do të bënte edhe babain të jetë afër fëmijës për të kontribuar me prezencën dhe kujdesin njëjtë sikurse nëna, do të fuqizonte rolin e gruas në shoqëri dhe më e rëndësishmja do të kontribuonte në zhdukjen e normave tradicionale sa i përket pozitës së gruas në shoqëri.