• Shqip

Politika, arti i mbushjes së llogarive!

27.06.2017 Enisa Serhati

Themelimi i Agjencisë Kundër Korrupsionit në 2006 dhe fillimi i deklarimit të pasurisë së zyrtarëve publik në Kosovë më pas në 2007, gati se krijoi njëfarë sigurie se i kemi rënë në fije modelit për luftimin e korrupsionit. Me gjithë debatet dhe vëmendjen e medias për deklarimin e pasurisë së politikanëve, menduam se mos jemi në rrugë të duhur për të ndaluar pasurimin e llogarive përmes keqpërdorimit të pozitave publike. Sot, 10 vite më pas, është e qartë se deklarimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë publik nuk kontribuon në monitorimin e integritetit të tyre. Deklarimi i pasurisë është veç edhe një tjetër procedurë në procesin të legjitimimit të pazareve me pozita publike. Për politikanë, e gjithë historia e deklarimit të pasurisë po shndërrohet në një lloj arti të mbushjes së llogarive. Art që manifestohet me një show të shkurt medial.

Të metat e procesit të regjistrimit dhe raportimit të pasurisë së deklaruar janë të shumta dhe mbeten të pandryshuara vit pas viti. Edhe sivjet mangësitë në procesin e deklarimit të pasurisë janë: legjislacioni jo adekuat dhe i pa harmonizuar, deklarimi i parregullt i pasurisë nga zyrtarët publik, pranimi dhe regjistrimi i deklarimeve nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) pa i kontrolluar ato teknikisht, raportimi medial i pa përqendruar, mos-verifikimi i vërtetësisë së pasurisë së deklaruar në AKK, dhe punë veç simbolike e prokurorisë në gjykimin e dënimin e parregullsive. Pra, problemet fillojnë që nga korniza që e shtron modelin e deklarimit të pasurisë dhe vazhdojnë deri te pranimi medial e publik dhe puna e gjyqësorit.  Fillimisht, legjislacioni në fuqi nuk është i harmonizuar dhe shoqërohet me ndryshime të shpeshta që e vështirësojnë njohjen e dokumenteve ligjore nga publiku. Ligjet janë të mangëta në autorizimin a AKK-së për të verifikuar deklarimin e pasurisë së zyrtarëve. Kështu, AKK nuk kërkon origjinën e pasurisë së deklaruar, e as nuk ka qasje në llogaritë bankare të zyrtarëve publik. AKK-së i mungojnë edhe kompetencat për të bërë kontrollimin e pasurisë që zyrtarët publik kanë jashtë Kosovës. Rrjedhimisht, si në shumë sisteme të tjera në Kosovë, edhe llogaridhënia në sistemin anti-korrupsion, e facilituar nga AKK, e humb fillin.

Në ndërkohë, çdo vit pas publikimit të deklarimeve të pasurisë, është bërë e zakonshme nisja e një cikli kalkulimesh nga gazetarë e analistë për të kuptuar se cilët politikanë kanë shitur shtëpitë, kush e ka partnerin më të pasur, dhe cilëve iu është rritur paga më së shumti. Një matematikë e tillë vazhdon të krijoj një iluzion të vëzhgimit të transaksioneve të punonjësve publik. Vëmendja kolektive në aprovimin e këtyre deklarimeve fillon e përfundon në perceptimi se korrupsionit i është vënë dikush pas. Në realitet, ky model i monitorimit të pasurimit të politikanëve nuk krijon më shumë llogari nga ata, dhe për aq kohë sa të zgjatë, politikanët do të vazhdojnë të raportojnë pjesë të pasurisë bazuar vetëm në vullnetin e tyre. Deklarimi i pasurisë, megjithatë, ka gjithë potencialin që të krijojë llogaridhënie të mirëfilltë dhe jo vetëm burokraci. Në fakt, që të evitojmë një situatë përplot pendime pas 10 viteve, ngjashëm me pendimet tona sot, reformimi rrënjësor i sistemit të deklarimit dhe verifikimit të pasurisë së deklaruar nga zyrtarët publikë duhet të përfshijë një sërë akterësh dhe të ndodhë sa më shpejtë. Një sistem i ri duhet të evitoj transferimin e përgjegjësisë për llogaridhënie nga një institucion në tjetrin duke i detyruar institucionet të punojnë bashkë.

Një sistem i reformuar fillimisht duhet të aprovojë një ligj për verifikimin e pasurisë dhe hetimit të origjinës së pasurisë së dyshimtë, dhe të harmonizojë dokumentet e shumta ligjore. Pjesë e ndryshimeve ligjore patjetër se duhet të jetë edhe një ligj që heton pasurimin e politikanëve nga viti 1999 dhe më herët, pasi që pasurinë nga kjo periudhë e pranojmë të pa kontestuar. Agjencia kundër korrupsionit, në anën tjetër duhet të fillojë reformim të brendshëm për të adresuar problemet si mungesën e kapaciteteve teknike ose riorganizimin e agjencisë drejt punës ekskluzive me deklarim të pasurisë. Në mes tjerash, opsion i hapur për të mbetet anulimi i plotë i njësisë së hetuesisë, ngaqë kompetencat dhe ekspertiza e kësaj njësie janë të limituara. Hetuesia do të mbetej kështu përgjegjësi e  policisë dhe prokurorisë, ndërsa AKK do të shkrinte gjithë kapacitetet e saj në fushën e deklarimit të pasurisë. Në fund, me qëllim të ofrimit të një formë të unifikuar të monitorimit të deklarimit të pasurisë, kërkohet një bashkëpunim i ngushtë në mes AKK-së, policisë e prokurorisë. Përgjegjësia kryesore e këtij bashkëpunimi duhet të jetë verifikimi i pasurisë së deklaruar përmes kontrollit multilateral dhe të bazuar në të dhënat e të gjithë institucioneve. Ky bashkëpunim do të kërkonte të zgjerohej në vazhdimësi përmes doganës, bankave, dhe administratës tatimore të Kosovës. Një model i raportimit online për zyrtarët publik, që krahason deklarimet e politikanëve me bazat e të dhënave nga këto institucione do të mund të eliminonte raportimin e pavërtetë. Deri sa të mungoj një reformim i tillë, puna e AKK-së dhe deklarimi i pasurisë nga politikanët vazhdon të mbetet një burokraci me pak vlerë të shtuar në luftimin e korrupsionit dhe me shumë show.