• Shqip

Përfshirja e të rinjve në aktivitete dhe përkrahja e tyre nga Komuna

09.10.2018 Valmire Marevci

Të rinjtë janë shtyllë e fuqishme e çdo shoqërie, ku shteti mund të llogarisë në fuqinë e tyre për zhvillim ekonomik dhe ndryshime sociale. Konstatohet se Kosova ka numrin e popullësisë me përqindjen më të lartë të të rinjve, dhe në këtë kontekst ka potencial të mjatueshëm për të orientuar të rinjtë në shumë fusha që sjellin zhvillim social dhe ekonomik për vendin. Në anën tjetër këta të rinjë, duke qenë në numër shumë të madh, po ashtu kanë edhe nevoja dhe kërkesa shumë të mëdha.

Kuadri ligjor që mundëson fuqizimin e rinisë, është i mjaftueshëm si në nivel vendi poashtu edhe në nivel lokal. Është Ligji për Fuqizimin dhe Pjesëmarrjen e Rinisë që  përcakton përgjegjësitë e institucioneve të qeverisjes qendrore dhe lokale ndaj të rinjve dhe organizatave rinore për pjesëmarrjen në vendimmarrje, punën vullnetare, edukimin joformal si dhe udhëzimin për liçencimin e qendrave rinore. Sfidë mbetet zbatueshmëria e ligjeve në fuqi.

Në Kosovë tashmë ekzistojnë shumë qendra rinore, e po ashtu ekzistojnë edhe shumë organizata rinore të cilat tentojnë të fuqizojnë të rinjtë në fusha të ndryshme. Nga përvoja me të rinjë në hulumitmin e nevojave të tyre, del që nga institucionet publike dhe kompetente nuk bëhet mjaftueshëm për të rinjtë. Çështjet e të rinjve jo gjithmonë marrin vëmendjen që meritojnë nga strukturat vendimmarrëse e politikëbërëse, për derisa organizimi i vetë të rinjve për ngritjen e zërit të tyre kundrejt  autoriteteve, është i pa fuqishëm.

Edhe në Komunën e Lipjanit, situata e të rinjve është jo e mirë,në kontekstin e përfshirjes së tyre në aktivitete dhe pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje. Nga ana tjetër nevoja që secili lokalitet rural (fshat) të ketë një hapësirë që përmbushë nevojat që të rinjtë të përmbushin potencialet e tyre për aftësim profesional, zhvillim të aktiviteteve rinore dhe mënjanuar shprehitë e dëmshme (sikur, alkooli, droga, krimi e të tjera), janë shumë të mëdha. Shumë të rinjë mbesim të hendikepuar nga mundësitë e zhvillimit të kapacitetve të tyre në ndonjë fushë jashtë asaj konvencionale që ofron arsimi, përshkak të kushteve ekonomiko-sociale. Të udhëtuarit në një qëndër urbane, nga viset e thella rurale nuk është një gje e përballueshme për shumë të rinjë nën këto kushte sociale. Derisa, Strategjia për Vetëqeverisje Lokale 2016 – 2026 parasheh në mënyrë shumë të qartë hartimin e politikave publike që kanë për qëllim rritjen e pjesëmarrjes qytetare në sferën publike vendimmarrëse. Ndërlidhur me këtë masë strategjike, ndër të tjera parashihet hartimi i politikave që nxisin këtë pjesëmarrje qytetare duke funksionalizuar qendrat rinore nëpër fshatra. Në bazë të kësaj kërkohet që Komunat që kanë shtrirje të gjerë komunale të sigurojnë mundësi dhe qasje të njejtë për të pasur qendra rinore edhe nëpër fshatra. Meqenëse Komuna e Lipjanit ka nje shtrirje të gjerë gjeografike dhe në disa qendra rurale ka hapësirë të mjaftueshme, atëherë më shumë kërkohet që ato të kenë një rregullativë ligjore, apo politikë të funksionalizimit.

Nëse i referohemi planifikimeve buxhetore të nivelit lokal, mbështetja e të rinjve bëhet kryesisht përmes kategorisë buxhetore “subvencione”, të cilat ndahen në kuadër të Drejtoratit për Kulturë Rini dhe Sport. Nëse krahasojmë buxhetin e kësaj kategorie ndërmjet vitit 2018 dhe planifikimit për vitin 2019, shohim se është i njëjtë, 70,000 euro për vitin 2018 dhe e njëtja shumë është planifikuar edhe për vitin 2019. Nuk ka rritje në këtë kategori për vitin e ardhshëm.

Një çështje tjetër që ndërlidhet me kategorinë e buxhetit për subvencione, është edhe ndarja e bursave nga Komuna për studentët e Komunësë Lipjanit. Kjo është edhe si kërkesë e vazhdueshme e të rinjve.  Që nga viti 2013 e deri më tani Komuna nuk ka hapur thirrje publike për ndarjen e bursave për student. Edhe përkundër faktit që  vazhdimisht është potencuar nga autoritetet komunale se do të planifikohet buxheti për ndarjen e bursave, një gjë e tillë nuk ka ndodh. Poashtu edhe buxheti i planifikuar për vitin 2019 nuk jep shpresë se do të ndahen bursa për studentë.

Edhe për kundër angazhimit të Komunës, për të qenë transparente dhe e hapur ndaj qytetarëve, në këtë kontekst dhe të rinjve, konsiderojmë që do duhej edhe më tej të avancoj në këtë drejtim. Të bëjë përpjekje në plotësimin dhe përkrahjen e nevojave të të rinjve, dhe poashtu rritjen e pjesëmarrjes së tyre në jetën publike, duke zbatuar politikat rinore që dalin si obligim nga dokumentet strategjike në nivelin lokal.