• Shqip

Ngritja e rolit të gruas në nivelin lokal, parakusht për mirëqenien e përgjithshme

05.09.2017 Gresë Sermaxhaj

Barazia gjinore në Kosovë mbetet kyçe në arritjen e një shoqërie demokratike ndërsa rruga drejt arritjes së saj është më e sigurt me një qasje të barabartë në tregun e punës në mes të burrave dhe grave. Politikat për përfshirjen e grave në tregun e punës qëndrojnë jo edhe aq kënaqshëm. Pohim ky që bazohet në statistikat e fundit që flasin për shkallën e lartë të papunësisë që ndryshon rreth 30-35% në të dyja gjinitë. Shqetësues është numri i vogël i grave që kanë një vend pune. Në nivel nacional, 12% të grave janë në marrëdhënie pune, ndërsa vetëm 13% janë ndërmarrëse të bizneseve. Kurse, 8o.2% të grave nuk kërkojnë punë dhe nuk janë të interesuara të futen në marrëdhënie pune për çfarëdo arsye.

Kur përmendim tregun e punës lind nevoja e kategorizimit të tij. Politikat lokale për përfshirjen e grave në këtë treg qëndrojnë më dobët karshi atyre qendrore.  Kështu, duke kuptuar gjendjen e vërtetë-fatkeqësisht gati të mjerueshme, që statistikat e lartcekura pasqyrojnë, pabarazia e grave në nivel lokal mbetet shqetësim gjithshoqëror. Megjithatë, baraz me nevojën për trajtimin cilësor të kësaj teme, lind edhe nevoja e ndarjes faktike të të dhënave. Një nga to është fakti se komunat e mëdha qëndrojnë së paku simbolikisht më mirë në ofrimin dhe zbatimin e politikave lokale që u mundësojnë grave pjesëmarrje në tregun e punës, duke i krahasuar ato me komunat e tjera më të vogla të Kosovës. Përparësi kjo e cila nganjëherë edhe natyrshëm lidhet me vendbanimet më të mëdha, dhe si e tillë nganjëherë bart në vete fuqinë të veprojë e pavarur nga politikat lokale që komunat ndjekin.

Këtu duhet përmendur Komunën e Gjilanit, kuvendi i së cilës ka miratuar Strategjinë për gratë ndërmarrëse në rajonin e Anamoravës, për periudhën 2017-2021. Përmes kësaj strategjie do të synohet të bëhet përmirësimi i gjendjes ekzistuese të grave në shoqëri, me theks të veçantë në përkrahjen e grave në themelimin e bizneseve të reja si dhe për të krijuar ura bashkëpunimi mes grave në mënyrë që të kenë rol aktiv në zhvillimin e politikave të reja, në nivelin lokal dhe kombëtar.

Në anën tjetër, modele të suksesshme për hartimin dhe jetësimin e politikave lokale të mirëfillta për gratë vështirë se mund të zbatohen në komunat e mëdha njejtë si në ato më të vogla. Kjo sepse me atë rast do të dështonim në të kuptuarin elementar të nevojave të ndryshme në vende dhe rrethana që kanë dallime mes vete. Mos hulumtimi i nevojave dhe mundësive reale ndikojnë që gratë të mos jenë pjesë e tregut të punës, ose të jenë pjesë në një masë që lë për të dëshiruar. Në vitin 2005 është hartuar ligji i parë për barazi gjinore në Kosovë dhe në vitin 2015 është bërë një përparim në këtë ligj. Ligji në fuqi për barazi gjinore ndalon diskriminimin e drejtpërdrejtë apo të tërthortë gjinor, mirëpo praktika jo gjithmonë e tregon tënjëjtën.

Kështu, pjesëmarrja e grave në tregun e punës shënon një nga brengat më të mëdha drejt arritjes së një shoqërie demokratike, të barabartë e gjithëpërfshirëse. Kjo duke llogaritur faktin që sektori publik në Kosovë qëndron një hap para atij privat sa i përket mundësive dhe kushteve që ofron për gratë. Institucionet, partitë politike, dhe secili nga ne ka për detyrë angazhimin më të madh dhe njëherësh rrënjësor që të shtohen planet për veprim si dhe politikat gjinore për pozitën e gruas në nivelin lokal. Momentalisht lehtë vërehet një mungesë e tyre. Madje në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në 22 tetor të këtij viti, për kreun e komunës garojnë vetëm gjashtë gra. Ky shembull mjafton për ta parashtruar si brengë bashkëpunimin në mes të grave për të krijuar strategji dhe për të pasur rol aktiv në zhvillimin e politikave të reja në nivelin lokal, gjithmonë duke i shoqëruar këtij niveli edhe atë nacional dhe regjional.

Me një vëmendje të veçantë duhet synuar përmirësimi i gjendjes së tanishme të grave në themelimin e bizneseve të reja si dhe subvencionimin e tyre. Nga totali i bizneseve të regjistruara në Kosovë vetëm 18% e tyre janë biznese të grave. Sfidë kryesore që ende ballafaqohen gratë ndërmarrëse mbetet qasja në financa dhe konkurrenca e pabarabartë. Transformimi ekonomik i vendit nuk mund të arrihet asnjëherë pa rolin aktiv të grave në të gjitha fushat e jetës.

Ky shqetësim nuk mbetet i izoluar në vazhdën e sfidave me të cilat përballet shoqëria jonë për të ngritur pozitën e gruas. Çlirimi i gruas nga çdo shtypje, objektifikim seksual, diskriminim lidhur me të drejtat pronësore, duhet të gdhendet si qëllim në secilin qytetar dhe institucion përgjegjës për këtë. Nëse për diçka ekziston pajtueshmëri e plotë atëherë është fakti se ka konsiderueshëm hapësirë dhe nevojë për përmirësimin e pozitës së gruas në qeverisjen dhe aktivitetet tjera me bazë lokale. Hapësirë kjo e cila duhet trajtuar si domosdoshmëri dhe detyrë, poashtu edhe si një shtysë e brendshme për ngritje të pozitës së gruas e me këtë edhe ngritje të vetëdijes së përgjithshme qytetare në Kosovë.