• Shqip

Mos ndarja e përgjegjësisë familjare, barrë edhe për bizneset

07.11.2017 Ardianë Halimi

Pushimi prindëror nuk duhet të konsiderohet si privilegj por si një e drejtë që i takon të dy prindërve. Me ligjin aktual të punës grave ju takojnë 12 muaj pushim, duke përfshirë nëntë muaj pushim me pagesë dhe tre muaj pushim pa pagesë. Për gjashtë muajt e parë punëdhënësit paguajnë 70% të pagës së saj të rregullt, ndërsa Qeveria e Kosovës paguan për tre muajt e ardhshëm 50% të pagës mesatare në Kosovë. Në anën tjetër, burrat kanë të drejtën e pushimit prindëror për dy javë, ku vetëm dy ditë janë me pagesë. Në maj të këtij viti është shtruar një kërkesë nga Bashkimi i Sindikatave të pavarura të Kosovës, ku kërkohet që pagesa për pushimin e lehonisë të realizohet 50% nga Qeveria dhe 50% nga bizneset. Sipas kësaj kërkese, bizneset dëmtohen shumë nga ligji për pushimin e lehonisë dhe kostoja është shumë e lartë për t’u paguar, për këtë arsye kërkohet që 4.5 muaj të paguhen nga biznesi dhe 4.5 muaj nga Qeveria. Tre muajt e fundit të vazhdojnë të jenë pa pagesë.

Në kërkesën e tyre nuk është shfaqur ndonjë interes për të trajtuar pushimin edhe për burrat ose për të ndryshuar nenin e ligjit të punës për pushimin e lehonisë. Kërkesa e tyre qëndronte vetëm në pikën që pushimi i lehonisë është duke ju shkaktuar një barrë të madhe fiskale në afarizmin e bizneseve. Ligji i punës për herë të fundit është fuqizuar në vitin 2010 dhe zbatues të plotë të këtij ligji mbetet vetëm sektori publik, por jo edhe ai privat, ku janë numri më i madh i të punësuarve. Prandaj është një nevoje urgjente që ligji i punës të ketë një reformim dhe të shtohet interesi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale që të hartojnë politika më strikte në respektimin e ligjit të punës tek sektori privat.

Mosrespektimi i ligjit të punës në sektorin privat, përveç shkeljeve të drejtave të tjera të punëtorëve, ndihmon edhe në uljen e interesit të grave për të kërkuar punë. Shkaktarë të vonimit të procesit për të ndërmarrë hapa në zhvillimin e politikave për punësimin e grave dhe për të bërë një ndryshim eventual në Ligjin e Punës, sipas ish-zyrtarëve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale janë edhe ndodhitë politike që çuan në ndryshimin e Qeverisë duke stagnuar kështu këtë proces i cili do të ishte në favor të grave. Sipas një hulumtimi të bërë nga Instituti D4D, del që 71.6% e burrave të moshës 35-44 vjeç, dhe 62.5% të punësuarve në sektorin privat në Kosovë mendojnë se ndarja e pushimit prindëror do të ishte gjë e mirë për të gjithë familjen. Ndërsa, 18.9% e burrave mendojnë që kjo do të dëmtonte financat e familjes, 15.1% mendojnë se ndarja e pushimit prindëror nuk do të pritej mirë nga shoqëria dhe familja. 11.3% e të intervistuarve mendojnë se pushimi i tillë do ta dëmtonte karrierën e tyre, kurse 9.5% mendojnë se do të përmirësonte të ardhurat e familjes.

Nga diskutimet që  zhvillohen rreth kësaj çështje, pushimi prindëror do të përbënte një nga hapat vendimtar në arritjen e barazisë gjinore në shoqërinë tonë. Kjo sepse do të çliroheshim nga stigmatizimet tradicionale që vetëm gruaja është e destinuar në fatin e saj për t’u kujdesur për fëmijët; do të mënjanoheshin në masë të madhe diskriminimet në punësim, gjë që lehtëson ngritjen e shkallës së punësimit të grave dhe në fund fëmija do të fitonte virtytet morale nga te dy prindërit. Për çështjen në fjalë, disa ekspertë të pediatrisë së fëmijëve pohojnë se baballarët shumë herë e kanë të ndaluar të qëndrojnë afër fëmijës së tyre të sapolindur në spitale apo edhe kur ata janë të sëmurë. Nga kjo mund të konkludojmë që edhe tek mjekët ekziston ideja që vetëm nëna është ajo që duhet të jetë afër fëmijës në momentet kritike duke i mohuar kështu babait mundësinë për të qenë aty, përkundër dëshirës së tij.

Për një hartim të paanshëm dhe të duhur të ligjit të ri të punës, po kontribuojnë edhe ekspertë të ndryshëm të shoqërisë civile që pushimi total të arrihet në 12 muaj. Prandaj, shumica e familjeve me të dy prindërit e punësuar do të kenë një arsye financiare që babai të shfrytëzojë këtë pushim dhe të qëndrojë në shtëpi me fëmijën e tij. Prindërit do të kishin mundësinë  të vendosin nëse ky pushim do të merrej nga nëna, babai, apo të ndahet në mes tyre. Kësisoj, ky vendim do të ishte në kompromis të plotë ndërmjet dy palëve.  Pushimi prindëror do të kontribuojë në barazinë gjinore, sepse familjet do të kenë arsye financiare që t’i ndajnë përgjegjësitë e përkujdesjes ndaj fëmijës. Kjo mund të kontribuojë në ndërrimin e normave tradicionale gjinore sa i përket familjes dhe punës, gjë që lehtëson ngritjen e shkallës së punësimit të grave dhe rritë mirëqenien në familje.