• Shqip

Koha për agjendë të punës së dinjitetshme

06.02.2018 Etnik Dautaga

Dhjetë vite pas pavarësisë, Kosova vazhdon ende të ketë probleme të mëdha me ekonominë e qëndrueshme, këto probleme janë reale dhe të prekshme duke parë numrin e madh të papunësuarve në vend sidomos tek të rinjtë dhe gratë. Ekonomia jo stabile është “përparësi” vetëm për “korporatat” e mëdha të cilat punësojnë punëtorë pa kritere dhe pa kontrata, kjo do të thotë që me një ekonomi jo stabile “humbësi” më i madh është klasa punëtore , të cilët nuk janë të informuar për mundësitë e punësimit dhe për të drejtat e tyre .

Cili është problemi që klasa punëtore në Kosovë nuk është e informuar për të drejtat e tyre?
Nevojat dhe kërkesat për arsim cilësor janë gjithmonë evidente kur një shtet është në tranzicion dhe po kalon një periudhë të rëndë ekonomike dhe sociale. Rëndësia e një shoqërie të arsimuar dhe mirë të informuar për të drejtat e tyre dhe interesat shtetërore është një domosdoshmëri për të pasur një shtet të zhvilluar dhe të qëndrueshëm. Në këtë rast kërkesa për një dialog social trepalësh ndërmjet qeverisë, punëdhënësit dhe sindikatave është shumë e rëndësishme. Problem mjaft i madh mbetet mos përfshirja e të rinjve dhe grave në sindikata. Duke parë që sindikatat që janë aktive të gjitha udhëhiqen nga burrat ajo që vërehet më së shumti është që shumë pak të ri kanë informacion për sindikata e aq më tepër të jenë të përfshirë në proceset vendimmarrëse. Arsyeja që shumë punëtorë nuk janë të informuar për mundësitë e punësimit dhe të drejtat e tyre, qëndron tek edukimi jocilësor duke përfshirë kurrikulat e pa reformuara në sistemin e edukimit të Kosovës, përgatitja dhe niveli mediokër i mësimdhënësve, pedagogëve dhe personelit akademik. Si faktor tjetër mund të jenë kushtet e vështira ekonomike që i detyron këta punëtorë të pranojnë të gjitha kushtet e punës.

Ky edukim jocilësor dhe arsye të tjera që kanë të bëjnë me punën e dinjitetshme kanë detyruar që shumë të rinj që mos ta shohin Kosovën si një vend atraktiv për të jetuar dhe punuar, kjo gjë më së miri po vërehet në qytetet jashtë Prishtinës si të atij të Gjakovës, qytet i cili ishte fuqi ekonomike në regjimin jugosllav kurse tani po shndërrohet në një qytet të “boshatisur” nga të rinjtë që të ardhmen e tyre e shohin përtej Gjakovës dhe Kosovës. Sfidat e të rinjve për një vend pune janë shumë të mëdha duke filluar nga paragjykimet në baza gjinore, kulturore dhe fetare, mos përgatitja adekuate edhe pse përfundimi i një universiteti tashmë nuk ka ndonjë vlerë të rëndësishme sepse ajo nuk është garantues për ty e deri tek përvoja e kërkuar nga punëdhënësi që nganjëherë është kontradiktore me përshkrimin e punës. Niveli i lartë i korrupsionit dhe nepotizmit që me vite preokupojnë shoqërinë tonë po vazhdon të paralizoj çdo zhvillim të mundshëm, duke bërë që të rinjtë të humbin besimin në institucionet qeveritare të cilat vazhdojnë të shpërfillin kërkesat për planifikim strategjik për rininë .

Çfarë realisht duhet bërë për të ndryshuar këtë situatë ?

Fillimisht ne duhet të “mësojmë si të mësojmë”, gjërat teorike ti shndërrojmë në mësime praktike të zhvillojmë degët klasave të profilizuara, të krijomë hapësirë për edukimin jo-formal, të informojmë më shumë rreth mundësive për punë dhe rreth të drejtave të punëtorëve, të përkrahim dhe të zhvillojmë ndërmarrësinë dhe të përkrahen idetë kreative në teknologji. Sepse tregun e punës e ndryshojnë punëkërkuesit dhe jo punëdhënësit, duke pasur një klasë punëtore të përgatitur edhe kushtet për punë të dinjitetshme do të jenë në nivel të duhur . Ky ndryshim i situatës aktuale kërkon kohë, por më shumë se kohë kërkon analizë të detajuar të gjendjes të tanishme dhe planifikim adekuat i bazuar në nevojat e përgjithshme të Kosovës si shtet dhe jo të mirën të servuar nga vendet e jashtme .

Përkundër kësaj në qytetet në Kosovë po bëjnë përpjekje për ta ndryshuar këtë realitet me anë të zyrës për punësim dhe qendrave inovative të cilat ofrojnë ndërmjetësim me biznese të ndryshme, një trend pozitiv në këto qendra janë kërkesat e grave, të rinjve dhe të komuniteteve pakicë në Kosovë që kërkojnë punë, por përveç punës kërkojnë këshillim profesional, aftësim dhe ri-aftësim që të jenë të gatshëm për tregun e punës.