• Shqip

A është arsimi dhe aftësimi profesional në Kosovë në përputhje me kërkesat e tregut të punës?

04.12.2018 Kushtrim Bajrami

Kosova karakterizohet me popullsinë më të re në Evropë, e cila vlerësohet si potencial i rëndësishëm për zhvillimin e kapitalit njerëzor, megjithëkëtë, nga këndvështrimi i brendshëm kjo paraqet një ngarkesë të shtuar mbi sistemin arsimor dhe tregun e punës në Kosovë. Për më shumë, mungesa e vendeve të reja të punës dhe mospërputhja ndërmjet arsimit dhe kërkesave të tregut të punës përbëjnë disa nga sfidat kryesore me të cilat përballen të rinjtë kosovarë. Përkundër reformave të vazhdueshme në sistemin arsimor dhe progresit të shënuar në përmirësimin e disa treguesve ekonomik, Kosova vazhdon të përballet me nivel të lartë të papunësisë së të rinjve. Në këtë drejtim, shkalla e papunësisë në Kosovë, në vitin 2017 ishte 30.5%, ndërkaq, papunësia tek të rinjtë ishte edhe më e theksuar duke arritur shkallën prej 52.7%.

Qëllimi i arsimit dhe aftësimit profesional është t’i pajisë nxënësit me kompetenca dhe shkathtësi të nevojshme për të qenë më konkurrues dhe për t’u pozicionuar në tregun e punës. Mungesa e aftësive, në shumicën e fushave përkatëse profesionale, kufizon zhvillimin ekonomik të vendit. Cilësia e arsimit dhe aftësimit profesional, si dhe harmonizimi i kërkesave të sistemit arsimor me tregun e punës, ndikojnë në ngritjen profesionale të individëve, në mirëqenien sociale dhe në zhvillimin ekonomik të vendit, përkatësisht, në rritjen e vetëpunësimit dhe të punësueshmërisë.

Më shumë se gjysma e nxënësve në arsimin e mesëm të lartë zgjedhin arsimin profesional. Në përgjithësi, regjistrimi i nxënësve në shkolla profesionale shihet si një opsion i dytë për ata që nuk arrijnë të regjistrohen në shkollat e mesme të përgjithshme/gjimnazet. Trendet e fundit të regjistrimeve të nxënësve në shkollat profesionale tregojnë se kërkesa e nxënësve për drejtimet si ekonomi dhe juridik ka pësuar rënie, ndërkaq, është rritur dukshëm interesimi i nxënësve për profilet e teknologjisë, makinerisë, ndërtimtarisë dhe infermierisë. Ky ndryshim i kërkesës konsiderohet të jetë ndikuar në masë të madhe nga faktorë të jashtëm, si mundësia e liberalizimit të vizave dhe migrimi për punë në shtetet evropiane, kryesisht në Gjermani.

Për më shumë, ekziston një shpërputhje e madhe ndërmjet orientimit të nxënësve në arsimin dhe aftësimin profesional në nivel lokal dhe strukturës së ekonomive lokale. Në këtë drejtim, nëse analizohen profilet dhe orientimet e nxënësve në shkolla profesionale sipas komunave, vërehet shpërputhje ndërmjet profileve për të cilat përcaktohen nxënësit dhe nevojave lokale të ekonomisë. Nxënësit në shkollat profesionale në Artanë, Dragash, Fushë Kosovë, Shtime, Rahovec dhe Deçan në masë të madhe janë të orientuar në drejtimet ekonomike dhe juridike, përkundër rëndësisë që ka zhvillimi rural dhe bujqësia në këto rajone. Në komunën e Dragashit, e cila shquhet për potencial të zhvillimit të bujqësisë pothuajse asnjë nxënës nuk ndjek profilet e bujqësisë në arsimin profesional. Ngjashëm, paraqitet gjendja në komunën e Rahovecit, e njohur për prodhimin e ushqimit dhe venës, ku vetëm një numër i vogël i nxënësve ndjekin arsimin profesional në drejtime përkatëse.

Ndër problemet e ngritura vazhdimisht në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional, është mungesa e materialeve mësimore të cilat nuk janë të cilësisë së duhur apo mungojnë për pothuajse shumicën e profileve. Në anën tjetër, këshillimi dhe orientimi në karrierë për nxënësit nuk është funksional në sistemin e arsimit dhe aftësimit profesional. Në disa komuna ekzistojnë qendrat e këshillimit dhe orientimit në karrierë në nivel komunal, mirëpo, këto janë themeluar, kryesisht, nga iniciativat e projekteve të ndryshme, e jo si rezultat i një plani gjithëpërfshirës.

Koncepti i arsimit dhe aftësimit profesional është i ndërtuar mbi mësimin praktik në shkollë dhe praktikën profesionale në ndërmarrje. Sistemi i arsimit dhe aftësimit profesional në Kosovë ka qenë tradicionalisht sistem i bazuar në shkollë, për dallim nga trendet bashkëkohore të zbatimit të sistemit të bazuar në ndërmarrje (sistemi dual). Bashkëpunimi ndërmjet shkollave profesionale dhe bizneseve është ad-hoc dhe kryesisht i nxitur nga projektet e donatorëve ndërkombëtar. Për shumë, në mungesë të pajisjeve të punëtorive të shkollave profesionale për realizimin e mësimit praktik në shkollë si dhe në mungesë të bashkëpunimit të shkollave profesionale me sektorin e biznesit për realizimin praktikës profesionale të nxënësve, nxënësit nuk arrijnë të përgatiten për tregun e punës dhe të zhvillojnë shkathtësitë e tyre praktike për punë.

Buxheti për nxënës në shkollat profesionale është i pamjaftueshëm për të mbuluar nevojat themelore. Për më tepër, formula e financimit të arsimit parauniversitar nuk merr parasysh nevojat specifike të shkollave profesionale për realizim të mësimit praktik dhe shkollat publike profesionale kanë kufizime serioze në gjenerimin e të hyrave. Kufizimet financiare për AAP-në zvogëlojnë mundësitë për investime në infrastrukturë dhe në pajisje, edhe për ato aftësi specifike për të cilat ka një kërkesë në Kosovë.

Zhvillimi i materialeve mësimore, pajisja e punëtorive të shkollave profesionale për të mundësuar zbatimin e kurrikulave të AAP dhe mësimin praktik me bazë në shkollë, nxitja e bashkëpunimit me biznese për realizimin e praktikës profesionale të nxënësve vendin e punës mbeten disa nga fushat kryesore në të cilat duhet intervenuar. Praktikat profesionale të cilësisë së lartë do të rrisin mundësitë e nxënësve për vetëpunësim, punësim, por edhe mundësitë për punësim në ato ndërmarrje ku përfundojnë praktikën. Po ashtu, buxheti për shkollat profesionale nuk është i mjaftueshëm për realizimin e mësimit praktik në shkollë dhe se duhet rishikuar formula e financimit të shkollave profesionale.

Plan-programet në shkollat profesionale duhet të rishikohen në vazhdimësi për të siguruar se janë në përputhje me kërkesat e tregut të punës dhe për të inkurajuar të nxënit e bazuar në module. Për më shumë, duhet të funksionalizohet shërbimi i orientimit dhe këshillimit të karrierës në shkollë, në nivel komunal dhe në nivel kombëtar, duke ofruar informata mbi kërkesat e tregut të punës.