• Shqip

Edukimi formal apo punësimi?

08.02.2019 Valbona Musliu

“Edukimi formal apo punësimi”, është një term i cili jo rrallë herë sillet në kokat dhe mendjet e të rinjëve, atyre që mendojnë për një të ardhme më të mirë, për një jetë të dinjitetshme. Por, duke e parë gjendjen në vend, shtimin e numrit të pa punëve, mungesën e një zhvillimi të hovshëm ekonomik e industrial, etj., të rinjtë fare pak kanë shpresa për të gjetur një vend pune të përhershme , ani pse nuk po ndalen së kërkuari. E tema të tilla jo rrallë herë po diskutohen në qytetin e Prizrenit.

Mos veprimi i institucioneve vazhdon të jetë në thumb të kritikave nga të rinjtë. Në Kosovë papunësia vazhdon të mbetet edhe më tej si një nga problemet më madhore. E grup mosha më e prekur edhe më tej mbetet rinia. Rreth 60 për qind e të pa punëve i takojnë moshës së re, sipas të dhënave jozyrtare ose mbi 40% sipas statistikave të nxjerra. E këto shifra janë edhe një alarm për ata të rinj që ua kanë mësyrë fakulteteve, ndërsa  nuk mendojnë për ndonjë punësim të shpejtë marrë parasysh gjendjen, ani pse synimi kryesor i tyre është  marrja e diplomës dhe sigurimi i një vendi të punës në institucionet publike, aty ku  ndiejnë siguri më të madhe.

Ndonëse punësimi po mbetet si prioritet i të rinjve, por edhe dëshirë e tyre, edukimi formal po konsiderohet si obligativ për disa syresh.  Dëshira për punësim nga të rinjtë po deklarohet hapur. Organizata të shoqërisë civile gjithandej vendit po punojnë me të rinjtë në forma të ndryshme, duke u dhënë  mundësinë e  përgatitjes atyre  për tregun e punës. Në  këtë rast shoqëria civile po e konsideron edukimin jo formal si mundësi më të mirë, dhe derë të hapur për të rinjtë për të siguruar një vend pune , apo thënë shkurt, vetëpunësuar. Kurset e ndryshme, shkollat e zanateve profesionale jo në numër të madh, trajnimet e Qendrave për Aftësime Profesionale po mendohen të paktën si zgjidhje. Madje, këto të fundit  që  kanë në dispozicion 10 e më tepër  programe  po konsiderohen si e duhura për të aftësuar të rinjtë. Ndërkohë, institucionet  janë ato që duhet të krijojnë politika për punësimin e të rinjve.

Por kjo në Kosovën e pas luftës fare pak po ndodh. Madje përpos atyre qendrore, pushteti lokal fare pak po bënë, për punësimin e të rinjve përveç ofrimit të ndihmës sociale disave në nevojë. Për shembull, në Prizren, të rinjtë kryesisht nxënës gjimnazistë,  tregojnë se ia mësyjnë politikës për të siguruar një të ardhme sa i përket punësimit, ani pse fare pak kanë njohuri për të, janë të papërgatitur  që ta marrin një barrë më shumë mbi supe, ndërsa nuk mendojnë më shumë nëse kjo do ua dëmtonte imazhin e tyre ( ardhmërinë ) në kohë jo të largët. Dhe jo vetëm kaq! Disa po mendojnë edhe më larg. Si shpresë e vetme  po mbetet  migrimi, në ndonjë shtet të Evropës e të botës, aty  ku  mendojnë  se mund të gjejnë perspektiven e munguar në vendlindje, ani pse të lidhur fort me vendlindjen dhe shtetin e tyre, Kosovën.

Institucionet punësojnë vetëm staf administrativ dhe atë në numër të kufizuar  sa u nevojitet, por nuk ka ndonjë politikë konkrete që do u mundësonte të rinjve të punësohen. Edhe projektet që kanë qenë vite më pare, tashmë janë shterur e vullnetarizmi po konsiderohet si hap i radhës për të rinjtë. Kyçja në ndonjë organizatë humanitare, aktivitete të ndryshme, e deri tek angazhimi vullnetarë i çfarëdo natyre, nëpër festivale të cilat edhe janë bukur të pranishme në numër, po quhet zgjidhje për disa, në një afat të shkurtër nga i cili angazhim do mësonin deri diku.

Por, pavarësisht situatës nëpër të cilën po kalojmë si shtet, ambiciet e rinisë prizrenase, dhe jo vetëm, nuk kanë të ndalur edhe pse, dorën në zemër, shpresat janë zbehur paksa. Disa po mendojnë se po të kishte zhvillim të industrisë edhe tregu i punës nuk do të mungonte. E shumë të tjerë po kërkojnë një hallkë zinxhirore të bashkëpunimit mes pushteteve lokale dhe Enteve te Punësimit për gjetjen e një mundësie për  të rinjtë. Madje, si mundësi e mirë po konsiderohen edhe shkollat profesionale, të cilat ofrojnë programe që i përshtaten tregut të punës jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj. E rinia si asnjëherë më parë ka nisur të mendoj  për të ardhmen. “Edukimi formal apo punësimi” vazhdon të mbetet temë aktuale,  tek të rinjtë e Prizrenit dhe jo vetëm, përderisa  edukimi formal po konsiderohet si  prioritet  tek punonjësit e arsimit, të cilët edhe po shprehin bindjen se, krahas  edukimit formal, nxënësit  mund të kryejnë edhe kurse apo trajnime  të ndryshme që do  të  ishin si ndihmesë shtesë  për të ardhmen e tyre drejtë arritjes së synimit kryesor- punësimit.

Syri dhe veshët e të rinjve vazhdojnë të mos mbyllen për asnjë çast të vetëm, ani pse shpresat e tyre  për të siguruar një vend pune kanë nis të shuhen. Kosova po e përmbyllë dekadën e dytë të lirisë dhe dekadën e parë të Pavarësisë, por kjo siç duket nuk u ka mjaftuar institucioneve shtetërore të mendojnë për rininë, e cila edhe jo rastësisht  konsiderohet si ardhmëria e vendit.