• Shqip

Çfarë ofrojnë kandidatët për kryetar komune për rininë e Kamenicës?

17.10.2017 Nafie Sylejmani

Papunësia, mungesa e përkrahjes së rinisë në arsim, kulturë e sport, mosfunksionimi i qendrave familjare, janë vetëm disa nga problemet kryesore me të cilat ballafaqohen qytetarët e komunës së Kamenicës. Prej pasluftës në komunën e Kamenicës ku jetojnë rreth 36 mijë banorë, nuk ka pasur asnjë investim kapital. Shumica sigurojnë ekzistencën nga prodhimet e bujqësisë dhe blegtorisë. Nga komuna mund të presin vetëm këshilla, në asnjë mënyrë ndonjë donacion apo ndihmë. Në këtë atmosferë, ku dominon ndjenja e paperspektivës, qytetarët shpëtimin e kërkojnë në zhvendosjen në qytetet më të mëdha Prishtinë, Gjilan, Ferizaj etj. ose jashtë vendit. Deri tash asnjë subjekt politik, që ka udhëhequr komunën ose pretendon që t’a udhëheqë nuk ka përpiluar një plan real për përmirësimin e kësaj gjendjeje kaotike. Duke i pasur parasyshë edhe premtimet nga kandidatët për komunën në tubimet për zgjedhjet komunale, të cilat shpesh janë vetëm sipërfaqësore, parashtrohet një pyetje për të rinjtë e Kamenicës: A do të ofrojnë edhe një herë besim për ndonjë kandidat për ta udhëhequr komunën, apo do t’i injorojnë kutitë e votimit?

Probleme me të cilat ballafaqohen sidomos gjeneratat e reja kur është në pyetje punësimi, janë kushtet e pashkruara të cilat kanë nevojë të plotësohen për fitimin e një vendi të punës. Në shumicën e rasteve bindjet partiake ose përkatësia e subjektit politik në pushtet është kriteri kryesor për sigurimin e ekzistencës. Premtime të vazhdueshme u dhanë edhe për këtë mandat nga kandidatët për kryetar komune duke përfshirë: përkrahjen e bizneseve ose inciativave të reja, duke iu dhënë në shfrytëzim objektet e komunës, lirimin nga taksat për bizneset fillestare si dhe krijimin e Parkut-biznesor për krijimin e vende të reja të punës. Shumica e të rinjëve të diplomar punojnë kamarierë, shitës nëpër markete, ose mbajnë vetën me ndonjë punë private, kryesisht në bujqësi. Sektor ky të cilit mendohet t’i ndahet një sasi e buxhetit për subvencione. Komuna tash e sa vite për bujqësitë ka ofruar vetëm këshilla por asnjë përkrahje tjeter. Sipas hulumtimeve të fundit vetëm në komunën e Kamenicës janë të punësuar rreth 230 shërbyes civilë, më shumë sesa është e nevojshme për ofrimin e shërbimeve për qytetarët. Pasoja e numrit të zmadhuar të punëtorëve në komunë, paraqet edhe një ngarkesë për buxhetin i cili është modest.

Mungesa e përmirësimit të kushteve në arsim, aktivitete kulturore dhe sport, janë shkaktarët që rinia e Kamenicës të mbetet pasive. Premtime të dhëna nga udhëheqësit e komunës për renovimin e shkollave të vjetra, si dhe ndërtimin e atyre të rejave, vazhdojnë të përmenden edhe për këtë mandat. Premtime të drejtuara në angazhime me qëllim të ngritjes së nivelit të dijes, ndihmës për aftësitë në punën profesionale dhe kushtet për implementimin e programeve të ndryshme profesionale ende janë pjesë e diskursit. Drejtoria për arsim ka bërë ndërprerjen e bursave për studentë tash e tri vite. Por sipas kandidatëve nuk do të vazhdojë më, pasi që premtohet ndarja e buxhetit për bursa për një numër jokonkret të studentëve. Mbetet ende e diskutueshme burimet e mundshme për sigurimin e tyre, por planifikohen të sigurohet nga reprezentacioni dhe shpenzimet e karborantëve apo nga ndarja e pagesave të tatimeve ndërtimore. Përkrahja e cila iu ka munguar deri më sot studentëve për trajnime apo punë praktike mendohet të përmirësohet dukshëm, duke ju premtuar mundësi për praktika me pagesë, por prap pa ndonjë ide konkrete se si do të arrihet kjo.

“Shëndeti mbi të gjitha”, jemi mësuar ta dëgjojmë shpesh si fjali, por sa është e zbatueshme kjo në komunën e Kamenicës? Në tri vitet e fundit asnjë nënë nuk ka lindur në spitalin e Kamenicës, aq më pak një e re të ketë mundësi konsultimi, pasojë kjo nga mungesa e gjinekologut në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF). Kandidatët premtojnë funksionalizimin e repartit të gjinekologjisë si dhe të qendrave të mjekësisë familjare nëpër fshatra. Poashtu mendohet të bëhet renovimi i tyre, në të cilat të punohet çdo ditë me gjysmë orari apo me orar të plotë.  Por gjatë tërë këtyre viteve vetëm në disa fshatra qendrat e mjekësisë familjare funksionojnë edhe ato vetëm dy orë në javë. Të rinjëve dhe rejave nëpër fshatra u mbeten dy mënyra të zgjedhjes: të udhëtojnë për në QMF-në e qytetit, apo të lidhin një ”kontratë” me sëmundjet e tyre që të jenë të pranishme vetëm në ditën kur QMF-ja e fshatit është e hapur. Meqë kjo e fundit është e pamundur, atyre u mbetet vetëm zgjedhja e parë. Premtime të shumta për shfrytëzimin e parave publike, në mënyrën më të drejtë për të ardhmen e të rinjëve të komunës së Kamenicës janë dhënë çdo mandat. Sa do të jenë të realizueshme ato kësaj here? Duke marrë parasysh që buxheti i komunës nuk ka kaluar në datën e paraparë me ligj dhe deri në mars të vitit 2018, shuma për investime kapitale për komunën e Kamenicës është vetëm 124 mijë euro.