• Shqip

Çfarë duhet e nuk po ju mësojmë nxënësve tanë në shkolla?

14.11.2017 Edona Begu

Si shumë vende tjera të botës edhe Kosova është duke bërë përpjekje të reformojë arsimin në mënyrë që të arrijë zhvillimin e shkathtësive të nevojshme, te nxënësit për t’ju përgjigjur zhvillimeve të shekullit 21.. Reformat kryesore të iniciuara në këto vitet e fundit në Kosovë kanë ardhur si shtytje e politikës qendrore të vendit. Politikbërësit kanë rol kyç, pasi ata duhet të sigurohen të ndërtojnë ura lidhëse midis ritmeve të shpejta të ndryshimit të shoqërisë dhe asaj se çfarë ndodhë në shkolla.  Shteti i Kosovës, që nga paslufta, shquhet për përpjekje të vazhdueshme për reformimin e arsimit përmes akteve ligjore, dhe tentimeve të vazhdueshme për zhvillimin e kurrikulave. Në këto vitet e fundit, instrumenti kryesor që shteti i Kosovës ka përdorur për  arritjen e reformave , është prezantimi i një kurrikule të re. Kurrikula e re ndryshon qasjen e mësimdhënies duke e orientuar atë nga zhvillimi i kompetencave të caktuara  si: kompetenca e komunikimit dhe të shprehurit; kompetenca e të menduarit; kompetenca e të mësuarit; kompetenca për jetë, për punë dhe për mjedis; kompetenca personale dhe kompetenca qytetare. Një tjetër risi që del nga zbatimi i kurrikulës së re është ngritja e autonomisë së shkollave në përcaktimin e përmbajtjes dhe kohëzgjatjes të lëndëve. Të gjitha këto ndryshime të cilat po tentohen të futen përmes zbatimit të kurrikuës së re janë në koherencë me atë që kanë ndërmarrë  shumica e vendeve të zhvilluara për të reformuar arsimin në hap me zhvillimet e kohës. Mirëpo, ndryshimi thelbësor qëndron në atë se kjo kurrikulë e re filloi të zbatohej nëpër shkolla pa ndonjë parapërgatitje të mirë të mësimdhënësve, pa revidimin e teksteve mësimore dhe pa përgatitjen e kushteve shkollore për implementimin e saj.  Prandaj dhe rezultati i zbatimit të saj është edhe një rast kur ndryshimet nuk kanë sjellë rezultatet e dëshiruara.

Zbatimi i kornizës së re kurrikulare në shkolla po del të jetë mjaft problematik, pasi menaxhmenti i shkollave dhe mësimdhënësit nuk kanë përgatitjen e duhur, paraprake, për zbatimin e saj. Vështirësitë më të mëdha shkollat po i hasin në përcaktimin e temave lëndore dhe planifikimi për kohëzgjatjen e lëndëve për secilën fushë të kurrikulës.  Gjithashtu, mësimdhënësit nuk janë të përgatitur për ndryshimet në qasjen e mësimdhënies pasi kurrikula e re nuk ju tregon atyre se si ta realizojnë mësimdhënien por, se cilat shkathtësi ata duhet t’i zhvillojnë te nxënësit. Në anën tjetër tekstet shkollor vazhdojnë të jenë po të njejtat të cilat janë përdorur edhe gjatë zbatimit të kurrikulës së vjetër. Një tjetër sfidë në zbatimin e kurrikulës së re paraqesin edhe kushtet fizike të shkollave, të cilat nuk janë të pajisura me mjete konkretizuese, teknologji arsimore dhe internet që mund të shihen si parakushte për zbatimin e kurrikulës së re e cila promovon përdorimin e teknologjisë në mësimdhënie. Megjithatë, secili ndryshim fillimisht përcillet me rezistencë dhe problematika të vazhdueshme, por e rëndësishme në gjithë këtë ndryshim është që të mos humbet qëllimi kryesor i reformave dhe grupi i synuar – nxënësit. Prandaj, natyrshëm dhe vazhdimisht duhet të bëhet pyetja se “Çfarë ju mësohet nxënësve në shkollat tona, e në fakt, do të duhej t’ju mësohej?”

Fatkeqësisht, shkollat e Kosovës janë të prira për të shtyrë nxënësit drejt mësimit të fakteve dhe mbajtjes mend të tyre, që paraqet nivelin me të ulët të të mësuarit. Duket lënë anash, aktivitetet më të larta kognitive si: të kuptuarit, aplikimin, analizën, vlerësimin dhe të krijuarit.  Kjo është reflektuar edhe në rezultatet tejet të dobëta që Kosova pati në testin PISA, ku vetëm 25% e nxënësve të testuar arritën nivelin bazë në të lexuar, shkenca dhe matematikë. Fokusimi i tepruar në mbajtjen mend të fakteve është i gabuar, sepse shpesh ndodhë që faktet të jenë të vjetërsuara apo shkencërisht të gabueshme. Çfarë duhet t’ju mësohet nxënësve, në fakt, është: se si të mësojnë. Albert Ajnshtajn thoshte se “edukimi nuk është mësimi i fakteve, por trajnimi i mendjes për të menduar.” Dhe realisht, nxënësit tanë duhet të mësohen se si të mësojnë dhe si ti ndërlidhin njohuritë e tyre me realitetin në të cilin jetojnë.

Është me rëndësi të theksohet se njohuritë ndryshojnë vazhdimisht dhe jo gjithmonë gjërat duhet të mirën nga vetëm nga një këndvështrim. Kjo na shpie tek një tjetër problem, që lidhet me atë se çfarë ju mësohet nxënësve në shkolla, e që ka të bëjë me kurrikulën e bazuar në libër.  Mësimdhënësit e Kosovës, janë të mësuar dhe ndihen më rehat në përdorimin e një librit si bazë dhe udhërrëfyes për lënde. Kjo qasje e bazuar në tekste, nuk ndihmon zhvillimin e mendimit kritik dhe kreativ tek nxënësit. Pra, nxënësit duhet të udhëzohen të përdorin burime të ndryshme informimi, p.sh. internetin dhe libra të tjerë, që të marrin perspektiva të ndryshme për njësi të caktuara mësimore. Prandaj nxënësit duhet të krijojnë një mendim të tyrin kritik bazuar në të gjitha informatat e marra. Kështu që mësimdhënësit duhet të dinë t’ju ofrojnë nxënësve mënyrën për gjetjen e informacioneve, duke i orientuar ata nga përdorimi i duhur i teknologjisë për hulumtim dhe mbledhje të informacioneve. Këtu, kujdes i theksuar duhet t’i kushtohet që nxënësit të dinë të vënë në pyetje atë që lexojnë dhe e mësojnë nga burimet e ndryshme të informacionit, dhe të mos marrin si të mirëqenë çdo informacion.

Një çështje tjetër e rëndësishme që lidhet me atë se çfarë ju mësohet nxënësve në shkolla ka të bëjë me kurrikulën dhe me çka ajo përcakton si nevojat kryesore për nxënësit për të qenë të suksesshëm në tregun e punës. Kjo qasje ka anën pozitive, pasi sigurohet që të paktën të arrihet një minimum i të nxënit. Mirëpo, ajo nuk merr parasysh faktorë të tjerë të rëndësishëm, si njohuritë paraprake të nxënësve që mund të lidhen me faktorë si baza socio-ekonomik e fëmijës. Pra me përcaktimin e nevojave, pre supozohet se nevojat janë të njëjta për të gjithë. Gjë që nuk është e vërtetë, ngase nevojat e nxënësve dallojnë, njësoj se si dallojnë nevojat e shkollave të ndryshme. Një hap i rëndësishëm është bërë në këtë drejtim pasi me kurrikulën e re parashihet që shkolla të ketë më shumë autonomi për të vendosur në lidhje me temat e lëndëve të ndryshme dhe kohëzgjatjen e lëndëve në bazë të nevojave që kanë nxënësit e asaj shkolle. Por, nga zbatimi i kurrikulës rezultoi se mësimdhënësit dhe udhëheqësit e shkollave nuk ishin të përgatitur për vendime të tilla, pasi ishin mësuar me qasjen e vjetër ku gjithçka ju servohej e gatshme.

Për fund,  politikbërësit e Kosovës po mundohen, që brenda mundësive dhe kapaciteteve të tyre, ta shtyjnë arsimin drejt reformimit për përgatitjen e nxënësve me shkathtësitë e nevojshme për ndryshimet e shekullit 21. Reformat arsimore do të duhej të ishin të mirë-menduara dhe të monitoruara për zbatueshmërinë e tyre. Nga zbatimi i kurrikulës del se mësimdhënësit nuk ishin të përgatitur për një ndryshim në qasje dhe planifikim, shkollat vazhdojnë të mbështeten në tekste të vjetra dhe ato nuk kanë kushteve fizike për implementimin e  kurrikulës së re. Kjo pastaj ndikon që zbatimi i kurrikulës të mos jetë i suksesshëm dhe kompetencat e parapara me të, të mos mund të arrihen te nxënësit. Nxënësve edhe sot u mësohen njohuritë bazë dhe lihen anash zhvillimi i shkathtësive të nevojshme për shekullin 21 dhe aplikimi i tyre. Prandaj, shteti i Kosovës do të duhej t’ju siguroj mbështetje më të madhe shkollave dhe mësimdhënësve të cilët janë në mësimdhënie dhe përgatitje mësimdhënësve të rinj që do të futen në këtë profesion. Parimisht, shteti do të duhej të sigurohet që shkollat të kenë kushtet fizike për zbatimin praktik të kurrikulës.