• Shqip

Barazia gjinore, sa i kontribon pushimit prindëror?

15.12.2017 Pylljon Nura

Historikisht, ose më mirë të themi tradicionalisht, rolet gjinore për përkujdesjen e foshnjeve ka qenë i ndarë më thikë; gratë janë përkujdesur gjatë gjithë kohës për bebet, duke përfshirë të ushqyerit, aspektet higjenike, vënien në gjumë etj. Burrat nga ana tjetër nuk kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në këta faktorë, ose në një përqindje shumë të vogël. Ndërsa tek flasim sot, mund të shohim se tema e barazisë gjinore dhe punës së përbashkët ndërmjet gruas dhe burrit, ka pasur përparime të dukshme. Sot është thyer qasja tradicionale, e cila e ka shoqëruar shoqërinë shqiptare për vite e dekada me rradhë, se përkujdesja e fëmijës është kompetencë ekskluzive për gruan, duke pasur parasysh faktin që ajo i ka dhënë jetë atij.

Duke lënë anash dallimet biologjike mes gruas dhe burrit, ky i fundit nuk has në asnjë pengesë për t’u kujdësur për fëmijën e tij. Ushqimi, ndërrimi i veshmbathjeve, vënia në gjumë, të gjitha këto mund të kryhen edhe nga një burrë. Për të mos përmendur edhe aspektet tjera në momentin kur fëmija fillon të rritet. Arsyeja pse i përmend këto, është që për një kohë të gjatë ka ekzistuar një ‘’ligj i pashkruar’’ se burri nuk ka përse të merret me gjithë këto gjëra, pasi edhe nuk i zotëron aftësitë e duhura. Kjo nuk është e vertetë. Sot shohim shembuj të shumtë të baballarëve të cilët kujdesen për fëmijët e tyre, njejtë sikur marrëdhënia ekzistuese mes nënës dhe fëmijës.
Duke e inkurajuar pushimin e atësisë përmes nxitjes financiare, do të ju mundësohej grave të kthehen në vendet e tyre të punës më shpejtë dhe në këtë mënyrë të ulin rrezikun e shndërrimit në të papuna, të marrjes së një page më të ulët, apo të uljes në pozitë pas kthimit në punë. Në të njëjtën kohë, një tre mujor shtesë mund të ndahet në mes të të dy prindërve ashtu siç iu përshtatet atyre. Ky do të ishte pa pagesë, por e drejta e tyre për tu kthyer në punë do të garantohej. Në përputhje me Direktivën e BE-së për Pushim Prindëror dhe si me shumicën e skemave prindërore, tre muajt e fundit të papaguara të pushimit mund të merren para se fëmija të arrijë moshën tetë vjeçare.

Nga një hulumtim i realizuar nga D4D-ja, në Kosovë 45,2% e burrave e konsiderojnë se ndarja e pushimit të përbashkët prindëror me partneret e tyre do të nënkuptonte përfshirje më të madhe në jetën e fëmijës. Për më shumë, 71,6% të burrave të moshës 35-44 vjeç dhe 62,5% të punësuarve në sektorin privat mendojnë se ndarja e pushimit prindëror do të ishte gjë e mirë për të gjithë familjen. Përveç mundësisë për dy ditë pushim me pagesë dhe 14 ditë pa pagesë, burrave nuk u njihet e drejta për pushim prindëror të barabartë më gratë. Nëse një miratim i tillë përmes legjislacionit do të hynte në fuqi, do të kishte pasoja pozitive duke gjeneruar edhe ndryshime shoqërore të cilat do të përkonin me trajtimin e fëmijës në mënyrë të barabartë nga të dy prindërit. Gjithashtu barra e përkujdesjes nuk do të mbetej vetëm tek njëri prind, port të dy bashkarisht do të kujdeseshin për foshnjen në një kohë më të efektshme pjesa tjetër ku përfshihen puna dhe përgjegjësitë tjera nuk do të pengoheshin.
Në familjet ku vetëm nëna është e punësuar, propozimi për pushim të përbashkët prindëror do të lejonte deri në gjashtë muaj pushim me pagesë për të, ndërsa pastaj babai do të mund të merrte përsipër përgjegjësitë e kujdesit. Ata nuk do të kishin arsye që gruaja të mbetet në shtëpi, pasi që ata do të kishin nevojë për të ardhurat. Për gratë e punësuara kryefamiljare, në mënyrë që të shmangen efektet dëmtuese të mundshme për nënën dhe fëmijën, qeveria duhet të ofrojë tre muaj shtesë pushim të paguar me 50% të pagës mesatare, që nëse është e nevojshme, gratë të qëndrojnë nëntë muaj me fëmijët e tyre. Kjo me gjasë do të përfshinte shpenzime minimale të përgjithshme për qeverinë. Përqindja e familjeve në të cilat këta skenarë do të ishin relevant, duke përfshirë vetëm nënat që punojnë, është e vogël duke e pasur parasysh shkallën e punësimit në Kosovë.