• Shqip

9 vjet pas: A kemi arritur konsolidimin e duhur të shtetit?

14.02.2017 Allen Meta

Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, politikanët morën mbi supe një detyrë mjaft sfiduese në kuadër të konsolidimit të shtetit, e që ishte vetëm një vazhdimësi e asaj që tashmë ishte nisur në bashkëpunim me misionin mbikëqyrës të UNMIK-ut para pavarësisë. Në fakt, konsolidimi i shtetit të Kosovës nuk duhet të merret si destinacion final. Është një proces i cili ka filluar me përfundimin e luftës, por që nuk mbaron me pavarësi, e që nuk ka një përfundim për një kohë të caktuar. Vendosja e strukturave të qëndrueshme shtetërore u ndikua me daljen e dhunshme nga sistemi politik monist jugosllav i asaj kohe, gjë që e solli edhe deri të lufta. Pas pavarësisë, Kosova filloi një etapë të vështirë, me të cilat politika drejtpërdrejtë duhej të përballej. Fillimisht mbi shtyllat e reja të ndërtuara nga paslufta duhet të kishte një rregullim e që në përgjithësi u kalua me sukses. Njohjet filluan të vinin me një ritëm mjaftë të mirë që nga shpallja e pavarësisë, mirëpo që kohëve të fundit ka hasur në stagnim. Këto në përgjithësi ishin hapat drejt konsolidimit të shtetit. Po ashtu një prej sukseseve është edhe krijimi i organeve të sigurisë drejt një konsolidimi.

Sfidat për të pasur një shtet të konsoliduar janë të shumta, dhe ka probleme që vijnë si shkak i keq qeverisjes nga politikanët tanë, me gjithë ndërhyrjet e tyre në fushat e ndryshme e sidomos në zhvillim ekonomik. Korrupsioni është bërë një nga “sëmundjet” e pashërueshme me të cilat po përballet në përgjithësi shoqëria jonë, e që në një ndërlidhje pasojat po i shohim edhe në sferat e ndryshme të jetës. Pasojat nga keqpërdorimet e dëmshme dhe krimi kanë lënë shumë procese politike në ngecje siç është integrimi evropian dhe procesi i liberalizimit të vizave. Nëse krahasojmë rrugën drejt euro integrimeve të shteteve tjera, shohim që Kosova ka ngecje, e kjo po mundësohet më shumë edhe nga mos njohja prej 5 shtetet anëtare të BE-së. Sfida ka shumë, ndërsa veprimi që këto sfida të tejkalohen po ecin me hapa të ngadalshëm ose po stagnojnë. Si një prej fushave e cila nuk po ka përparim është sundimi i ligjit, e që në vete ngërthen edhe problemet tjera që vijnë në mënyrë zinxhirore. Nëse shohim nga perspektiva ligjore Kosova mund të mirret si shembull për ligjet të cilat i ka, mirëpo këto ligje nuk po përfillen. Politizimi i institucioneve dhe agjencive të ndryshme të pavarura po sjellë probleme të shumta, si në rrafshin lokal edhe në atë qendror. Nëse marrim shembujt e privatizimit të aseteve, atëherë shohim që jemi kampion për një privatizim të dëmshëm i cili është bërë për përfitime personale, e që do të ishte mirë të ketë një rishikim mbi këto kontrata.

Arsimi në Kosovë është një prej problemeve më të mëdha. Kjo është dëshmuar edhe nga testi i PISA-s, e që dëshmoi se arsimi në Kosovë është në nivelet më të ulëta të mundshme. Nga të gjitha këto padyshim që vije një ndërlidhje e pashmangshme e cila i sjellë këto probleme në të cilat po ngec shoqëria jonë. Një është e sigurt, zhveshja nga etika dhe morali i politikanëve tanë, me aferat e tyre e kanë sjellë në këtë gjendje shtetin pas 9 viteve. Mos funksionimi dhe kapja e gjykatave po bënë që të njëjtit të kenë lirinë që të bëjnë shkelje të ndryshme të cilat po i pësojnë qytetarët. Në anën tjetër propagandë dhe ndërhyrje e herë pas hershme po bëhet nga ana e Serbisë e cila po stagnon me qëllim funksionimin e shtetit, si me ndërhyrje nga jashtë, e po ashtu edhe përmes përfaqësuesve serb në parlament. Rastet e fundit marrë për shembull të orkestruara nga Beogradi kanë ngritur tensione ndër etnike të cilat nuk i konvenojnë jo vetëm shtetit të Kosovës por as rajonit në përgjithësi. Muri i ngritur në njërën anë, tentimi i futjes së trenit me murale provokuese dhe arrestimi i ish kryeministrit Ramush Haradinaj në Francë, assesi nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit, e me këtë edhe dialogun e pajtimit mes dy shteteve po e vënë në pikëpyetje.

Shoqëria civile nuk ka kompetenca të bëjë ndonjë ndryshim të dukshëm, edhe pse në një anë përmes kanaleve të tyre tentojnë të bëjnë ndryshime që ndikojnë në të mirë të qytetarëve të Republikës në përgjithësi, pa bërë ndarje në mes etnive të ndryshme. Në këtë “mjegull” kaq të madhe ngushëllimi më i mirë për qytetarët tanë padyshim që është sporti dhe artistët që deri më tash janë yjet e vetëm që kanë bërë dritë për Kosovën. Këtu duke i përfshirë triumfet nga Majlinda Kelmendi, si sukseset më të mëdha por jo vetëm, duke mos e harruar edhe filmin “Shok” që bëri bujë mjaftë të madhe si dhe së fundmi filmi i metrazhit të shkurër ‘Home’. Por mos të harrojmë që ky sukses vjen nga talenti personal dhe shumë pak nga ndihma e institucioneve shtetërore.