U mbajt aktiviteti: “Gratë bashkëmoshatare për zhvillim”

04.10.2017

Instituti Demokraci për zhvillim (D4D), ka organizuar sot ngjarjen ‘Gratë bashkëmoshatare për zhvillim’. Aktiviteti ka pasur për qëllim që grave të reja t’u ofrohet mundësia  të njihen për së afërmi me përvojën e grave të suksesshme në fusha të prodhmitarisë, ofrimit të shërbimeve dhe ndërmarrësisë, si mënyrë për t’i motivuar gratë e reja  për t’u aktivizuar në  tregun e punës.

Shpend Emini, Drejtor Ekzekutiv nga Instituti D4D, theksoi se pjesëmarrja e grave në fuqinë puntore vazhdon të mbetet shqetesuese, meqë shifrat tregojnë se numri i grave aktive ne tregun tonë të punes është në mënyrë të konsiderueshme me e ulët krahasuar me vende të rajonit dhe më gjerë. Stimulimet e ndryshme për aktivizimin e grave në tregun e punës që kanë promovuar shtetet e ndryshme duhet të promovohen edhe në Kosovë në mënyrë që të nxisin mekanizma efektiv që të kontribuojnë në mirëqenien e grave dhe shoqërisë. Martina Perino nga misioni i USAID, tha se gratë nuk duhet të ndalen para vështirësive të punësimit. Gratë janë pjesë e ekonomisë dhe zhvillimit të shtetit prandaj edhe duhet të konsiderohen të tilla edhe në treg të punës. Linda Shala, Zëvendëskryetare e Odës Ekonomike të Grave – G7, tha se përkundër diskriminimit të madh gjinor, gratë duhet të punojnë me përkushtim më të madh së pari për interes personal e më tutje edhe për mirëqenie të gjithë shoqërisë.

Të dhënat e fundit në Kosovë flasin se rreth 80.2% e grave janë joaktive në tregun e punës. Duke qenë jashtë punës, jo vetëm që pengohet zhvillimi ekonomik i përgjithshëm në vend, por kjo dëmton edhe pozitën e përgjithshme të gruas në shoqëri. Nga hulumtimi i D4D-së vlen të theksohet për gratë që të jenë pjesë e tregut kërkohet që së pari të ketë trajtim të barabartë me burrat por edhe pagesa të njejta për punë të njejtë.

Panelet e diskutimit dhe të rrjetëzimit kishin përfaqësuese gra të suksesshme nga sfera e prodhimtarisë, shërbimeve dhe ndërmarrësve të reja, duke përfshirë:  Syzana Aliu, Magic Ice; Besa Berisha, Univerzum Audit; Melita Ymeraga, Melita&Partners; Donjeta Sahatçiu, Rrota; Gëzime Rexhepi – Çollaku, Bardha; Venera Biçaku, Jetë o Jetë; Annea Hapçiu, KosovaLive360; Leana Mahmuti, Le Arch dhe Zana Idrizi, Girls Coding Kosova.

Aktiviteti mbështet në kuadër të Programit Angazhimi për Barazi – #E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC