Tryezë për “Avancimin e Proceseve Demokratike në Kosovë”

30.04.2018

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në vazhdimësinë e takimeve rajonale, me fokus në sfidat e identifikuara gjatë proceseve të zgjedhjeve të mbajtura në vitin 2017, ka mbajtur takim në Pejë me temën ‘Drejtësia në zgjedhje: Votat me kush dhe votat me postë’, ku pjesëmarrësit kanë diskutuar për sfidat dhe veprimet e ndërmarra gjatë dhe pas procesit zgjedhor.
U diskutua nëse hiqet votimi me kusht, atëherë do të mund të kishim dalje më të ulët, pasi që qytetarë që janë të angazhuar, nuk do të shkonin për të votuar në vendvotimin e tyre. Në të kundërtën nëse vazhdojmë të kemi votim me kusht, për personat të cilët tentojnë të thyejnë ligjin dhe të votojnë nga dy herë, duhet të ketë sanksione.

Ndërsa sa i përket votës me postë u ofruan dy mundësi, e para ishte që vota me postë të mbetet vetëm për zgjedhjet nacionale, dhe të hiqet si mundësi për zgjedhjet lokale. Kjo do të thjeshtësonte procesin. Ndërsa mendimi tjetër ishte që të lihet mundësia e votës me postë në zgjedhjet nacionale dhe lokale, pasi është e drejtë e gjithë qytetarëve, përfshirë edhe diasporën për të vendosur nëse do të votojnë ose jo.

Takimi ka pasur për qëllim forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes institucioneve përgjegjëse, nënshkruese të memorandumit për bashkëpunim mbi procesin zgjedhor (Prokurori i Shtetit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Paneli për Ankesa dhe Parashtresa, dhe Policia e Kosovës), dhe hapat që duhet të ndërmerren për përmirësimin e drejtësisë zgjedhore. Në takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të partive politike, zyrës së Avokatit të popullit dhe organizatave të shoqërisë civile.

Ky diskutim është organizuar në kuadër të projektit “Avancimi i Proceseve Demokratike në Kosovë”, përkrahur nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës, përmes Ambasadës Zvicerane në Prishtinë, implementuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D).