Tryezë në Gjilan: Drejtësia zgjedhore në zgjedhjet e 11 qershorit

08.06.2017

Sot me datën 8 qershor Instituti D4D në partneritet me Demokracia në Veprim (DnV) ka mbajtur tryezën e pestë me rradhë në regjionin e Gjilanit me temën “Drejtësia Zgjedhore në Zgjedhjet e 11 qershorit”. Pjesë e panelit në këtë tryezë ishin Z. Atdhe Dema nga Prokuroria e Shtetit, Z. Vllaznim Surdulli nga Policia e Kosovës, Z. Naser Maliqi gjyqtar në Gjykatën Themelore në Gjilan, Z. Xhemail Peqani nga Komisioni Qendror Zgjedhor si dhe Zyhdi Haziri nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Të ftuar në këtë tryezë ishin edhe oragnizatat e shoqërisë civile në regjionin e Gjilanit dhe anëtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor.

Prokurori Atdhe Dema foli për rolin e prokurorisë në procesin zgjedhor, duke shpjeguar Procedurat Standarte të Votimit, fotografimin e votës dhe veprat tjera penale të përcaktuara në kodin penal. Prokurori Dema tha që në ditën e zgjedhjeve do të jenë të angazhuar 100 prokurorë kujdestarë. Z. Surdulli nga Policia e Kosovës foli rreth angazhimit të ekipeve mobile të Policisë së Kosovës gjatë procesit zgjedhor dhe ditës së zgjedhjeve duke theksuar koordinimin e mirëfilltë të Policisë së Kosovës. Z. Naser Maliqi nga Gjykata Themelore e Gjilanit paraqiti numrin e rasteve të gjykuara lidhur me veprat penale sa i përket krimeve elektorale, ndërsa z. Haziri nga PZAP paraqiti mënyren e parashtrimit të ankesave pranë PZAP-së. Në fund Xhemail Peqani nga KQZ tregoi për punen e sekretariatit të KQZ-së duke përmendur numrin e qendrave të votimit në rajonin e Gjilanit dhe koordinimin me institucionet e drejtësisë dhe hetuesisë për të parandaluar çdo lloj parregullësie në ditën e zgjedhjeve.

Këto tryeza janë mundësuar në partneritet me DnV dhe përkrahjen financiare të USAID Kosovo dhe Friedrich Ebert Stiftung, Prishtina Office.