Tryezë diskutimi në Gjilan me temë “Avancimi i Proceseve Demokratike në Kosovë”

25.05.2018

Fushata zgjedhore dhe menaxhimi i procesit zgjedhor në ditën e zgjedhjeve, ishte fokusi i diskutimit në tryezën e mbajtur në Gjilan me datën 23 Maj 2018.

Çfarë duhet përmirësuar për zgjedhjet e ardhshme? A duhet të rishikohet korniza ligjore që rregullon fushatën zgjedhore? Para-fushata, a duhet rregulluar me ligj, apo të përfshihet në kodin e mirësjelljes? Ishin këto disa nga pyetjet të cilat iu adresuan panelistëve gjatë këtij diskutimi.

Fushata zgjedhore, edhe pse e rregulluar me ligj, në vazhdimësi është përcjell me probleme të ndryshme të cilat e kanë rënduar procesin zgjedhor. Subjektet politike dhe kandidatët/kandidatet e tyre, jo rrallëherë kanë shkelur rregullat e përcaktuara me ligj ku si rrjedhojë edhe janë shqiptuar gjoba nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), si dhe janë shqyrtuar lëndë nga Gjykata Themelore e Gjilanit në rastet e keqpërdorimit të të drejtës së votimit.

Nevojë për përmirësim u cek edhe për stafin e përkohshëm të zgjedhjeve, ku u dhanë rekomandime për përzgjedhje më të kujdesshme dhe trajnime më cilësore në mënyrë në ditën e zgjedhjeve të kryejnë punët dhe detyrat e tyre sa më mirë, kështu duke evidentuar parregullsitë e mundshme që mund të shfaqen.

Qëllimi i takimit ka qenë bashkëpunimi në mes të institucioneve përgjegjëse, partive politike si dhe shoqërisë civile, për identifikimin e problemeve thelbësore të cilat do të ndihmonin në reformë zgjedhore.

Disa nga rekomandimet e dala gjatë tryezës janë: Zbatimi i Ligjit dhe Rregullave të KQZ nga të gjithë akterët e procesit zgjedhor, vetëdijesimi i subjekteve politike lidhur me respektimin e rregullave gjatë fushatës zgjedhore, të ashpërsohen masat ndëshkimore lidhur me rastet e shkeljeve zgjedhore, etj.

Ky diskutim është organizuar në kuadër të projektit “Avancimi i Proceseve Demokratike në Kosovë”, përkrahur nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës, përmes Ambasadës Zvicerane në Prishtinë, implementuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D).