Tryezë diskutimi në Ferizaj për pjesëmarrjen e rinisë në vendimmarrje

19.04.2018

Në kuadër të serive të tryezave në shtatë rajonet e Kosovës me temën ”Rritja e pjesëmarrjes së rinisë në proceset demokratike”, Instituti D4D së bashku me organizatën INPO kanë mbajtur tryezën e radhës në komunën e Ferizajit. Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin përfaqësues nga kabineti i kryetarit të komunës së Ferizajit, përfaqësues të grupeve nga subjektet politike të përfaqësuara në kuvendin komunal, drejtoresha për kulturë rini dhe sport, organizata të shoqërisë civile, organizata rinore dhe media.

Rritja e pjesëmarrjes së të rinjve/rejave në vendimmarrjen komunale, adresimi i nevojave të rinjve nga qeverisja e re komunale dhe hapësira dhe trajtimi i të rinjve brenda subjekteve politike ishin temat kyçe të diskutimit gjatë kësaj tryeze të diskutimit.

Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit “Voto për Demokraci” përkrahur nga Ambasada Gjermane në Kosovë.