Takime mëngjesi, sallone dhe diskutime Agora me zyrtar komunal

01.11.2018

Gjatë periudhës kohore shtator-nëntor në kuadër të projektit “Pjesëmarrje e gjerë për qeverisje të mirë” janë organizuar disa takime mëngjesi, sallone dhe diskutime Agora me zyrtar komunal, përfaqësues të rinisë dhe grave, si dhe të organizatave të ndryshme joqeveritare.

Takimet e mëngjesit janë organizuar në Komunën e Graçanicës, Shtërpcës dhe Kllokotit, ku zyrtarët komunal kanë shpalosur punën e deritanishme të Komunës dhe projekteve që synojnë ta realizojnë drejtë fuqizimit të rolit të rinisë dhe gruas në proceset vendimmarrëse dhe politikëbërëse. Të ftuar në këto takime kanë qenë edhe përfaqësuesit e rinisë dhe grave, të cilët kanë diskutuar edhe për problemet dhe nevojat e rinisë dhe grave në këto Komuna, duke kërkuar që projektet e propozuara nga ata të shqyrtohen me seriozitet nga Komunat dhe tu ofrohet më shumë mbështetje në realizimin e tyre.

Në diskutimet Agora të ftuar kanë qenë zyrtarët komunal, përfaqësuesit e rinisë dhe grave, përfaqësues nga organizata të ndryshme joqeveritare, si dhe qytetarët e këtyre komunave. Këto diskutime janë mbajt në Komunën e Kamenicës dhe Graçanicës, ku të ftuarit kanë diskutuar për mënyrat e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet përfaqësuesve të rinisë dhe grave me zyrtarët komunal, problemet dhe kërkesat e tyre, si dhe përfshirjen e tyre në të gjitha proceset vendimmarrëse dhe politikëbërëse.

Gjithashtu, në kuadër të projektit janë organizuar dy sallone të së martës, në Shtërpcë dhe Kllokot, ku qytetarët e këtyre komunave kanë pasur rastin të diskutojnë me zyrtarët komunal rreth projekteve aktuale të Komunës por edhe ato të planifikuara për t’u realizuar në të ardhmen, të cilat do të kontribuonin në zhvillimin e komunitetit të tyre.

Gjatë muajit të kaluar është publikuar edhe infografika në lidhje me atë se sa janë qytetarët të kënaqur me qeverisjen  komunale, përkatësisht me punën e kryetarëve të komunave gjatë gjashtëmujorit të parë, të vitit të parë, të mandatit të kryetarit.

Këto aktivitete janë realizuar nga organizata partnere Qendra për Depolitizim të Shoqërisë së Kosovës (CDKD) në kuadër të projektit “Pjesëmarrje e gjerë për qeverisje të mirë”, që implementohet nga instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), me mbështetje financiare nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë.