Sesion informues në Mitrovicë dhe Prizren për pushimin prindëror dhe të lehonisë

01.11.2018

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në Mitrovicë dhe Prizren mbajti sesione informuese me akterë social që si pikë diskutimi kishte draft projekt ligjin për pushimin e lehonisë dhe pushimin prindëror.

Valbona Sadiku, këshilltare në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, theksoj se “modeli që është propozuar nga ministria për këtë çështje nuk është në favor të gruas, pasi që 16 muaj pushim të lehonisë, sa propozohet nga shteti, askush, as sektori privat e as ai publik nuk do të mund ta përballonte këtë periudhë”. “Ne mendojmë që të krijohet një fond i veçantë i shtetit, nga i cili do të mund të kompensoheshin prindërit përgjatë pushimit të lehonisë dhe lejes prindërore”, theksoj znj. Sadiku.

Drita Millaku, anëtare e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, gjatë sesionit informues në Prizren theksoi që është tejet e rëndësishme që ky projektligj kur të vij në komision të mos jetë diskriminues për gra dhe burra. Ajo po ashtu vuri në pah që duhet patjetër të sigurohemi që ky projektligji mundëson aktivizimin e grave në treg të punës dhe i lehtëson gratë nga barra e përgjegjësisë për kujdes.

Përveç propozimit të qeverisë në këtë sesion u prezantua dhe u diskutua për modelin e D4D-së dhe partnerëve nga shoqëria civile. Përmes skemës së propozuar nga D4D dhe partnerët, familja merr 13 muaj leje- kombinim i lejes së lindjes, atësisë dhe lejes prindërore. Një model i tillë mund të ndihmojë në nxitjen e barazisë gjinore në kornizën e roleve të punës, pagës dhe të pjesëmarrjes në vendin e punës.

Në Mitrovicë dhe Prizren të pranishmit/et rekomanduan që propozimi i D4D-së dhe partnerëve nga shoqëria civile për leje të lindjes, leje të atësisë dhe leje prindërore të konsiderohet në projektligjin e ri si dhe të insistohet në krijimin e një fondi të veçantë shtetëror që do të mund të kompensonte prindërit për leje të lindjes, leje të atësisë dhe leje prindërore.

Këto sesione informuese janë organizuar në kuadër të projektit “Leja prindërore për barazi gjinore” që financohet nga Qendra Ndërkombëtare Olof Palme dhe mbështetet nga Qeveria Suedeze.