• Shqip

Rezultatet nga anketa e zhvilluar në fund të majit dhe fillim të qershorit

06.06.2014

Ditëve të fundit kemi zhvilluar një anketë, publikimin e të cilës e vonuam dy ditë. Hezituam të publikojmë rezultatet për shkak të klimës së tensionuar dhe anketave të shumta falso që publikohen gjithandej. Gazeta e portale të ndryshme haptazi shkelin ligjin duke publikuar anketa pa autor, pa margjinë të gabimit, pa treguar mostrën, të gjitha që obligohen me ligj. Si institut kërkimor kjo na dëmton shumë sepse devalvon natyrën e punës tonë. Përkundër të drejtës ligjore, disa mediume prestigjioze që kemi kontaktuar kanë hezituar të publikojnë rezultatet për shkak të klimës së rëndë politike të krijuar nga anketat fantome dhe akuzave potentiale nga militantët partiak se anketa ndikon në rezultate. Dëshira jonë që të luftojmë për hapësirë adekuate në mes të këtij kaosi na ka shtyrë drejt vendimin se ato duhen publikuar edhe pse të vetëdijshëm për kritikat potenciale që mund të na adresohen.

Kjo trysni gjithashtu dëmton interesin publik. Krijohet përshtypja se anketat bëhen vetëm për të ndikuar në rezultat edhe pse nuk e kemi dyshimin as më të vogël se një pjesë e mirë e tyre bëhen pikërisht me këtë qëllim. Kjo dëmton interesin publik i cili ka të drejtë që t’i eksponohet anketave dhe t’i dallojë ato nga fabrikimet dhe spinet mediale. Kjo ndërlidhet shumë me mënyrën si qytetari dhe partitë interpretojnë anketat.

Është dëshmuar shumë herë se kur është rezultati i ngushtë, nuk çon peshë përqindja e përkrahjes në mes të partive sa çon peshë përqindja e daljes së ithtarëve të secilit subjekt. Nëse një subjekt del më mirë se tjerët (qoftë në ‘anketat’ apo në komente analitike) tek ne shihet si përkrahje ndaj atij subjekti që nuk ka rrjedhë logjike. Zakonisht beteja nuk bëhet për të fituar votues nga tjerët sepse kjo në ditët e fundit nuk ndodhë, por bëhet për të nxjerrë një përqindje sa më të madhe të elektoratit të vet për të dalë në zgjedhje. Prandaj një nga analistët në analizën e tij e nxorri se është pikërisht shkalla e daljes që do të ndikojë se kush fiton.

Në çfarëdo mase që anketat ndikojnë në disponimin e qytetarëve, kjo nuk varet nga numrat sa varet nga interpretimi i tyre. Një shkrim rishtaz i Ruben Avxhiut më përkujtoi dallimin e interpretimit të anketave në SHBA dhe në Kosovë. Në SHBA kur del anketa zakonisht partia e madhe heziton të publikojë ato sepse ndjenja e fitores së afërt ul mobilizimin e daljes në ditën e zgjedhjeve. Kjo dëshmon një logjikë të kundërt me intepretimin me inercion të deri-tanishëm tek ne. Nëse një parti ndjek rezultatin për të kaluar në vendin e parë nuk duhet të dërgojë mesazhin se fitorja është punë e kryer sepse kështu ul motivin e elektoratit të tyre për të dalë masovikisht në ditën e zgjedhjes. Përkundrazi, duhet t’u japë një dozë frike ithtarëve të vet që po nuk dolën të gjithë, mund të humbin për pak.

Më poshtë paraqesim rezultatet e anketës së vetme deri tash që krahas rezultateve publikon të gjitha të dhënat e obliguara me ligj. Jemi mjaft të sigurtë që ky rezultat paraqet disponimin publik, edhe pse siç thotë Besnik Pula në “dy-tri fjalë për sondazhet”, duhet pasur kujdes. Sa më mirë të jetë bërë anketa, gjasat më të mëdha janë që do të jetë e përafërt me rezultatet përfundimtare që do të dalin pas zgjedhjeve, me kusht që (a) nuk ka ndodhur diç në ditët e fundit, (b) nuk ka pasur vjedhje gjatë votimit apo (c) që nuk ka pasur ndonjë gabim gjatë zbatimit të anketës, qoftë në mostër, në anketim, në futje të të dhënave, në peshim. Jemi plotësisht të vetëdijshëm se në rast të shpërputhjes së ndjeshme nga rezultatet, në radhë të parë pëson kredibiliteti ynë dhe i partnerit tonë anketues.

Përzgjedhja për të punuar me një kompani me renome ishte obligim i yni, përderisa përfundimi i punës me profesionalizëm ishte obligim i kompanisë UBO Consulting, e cila ka zhvilluar anketën me mostër të rastësishme në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Anketa është zhvilluar nga data 28 maji deri më 3 qershor 2014. Përzgjedhja e amvisërive me metodën e përzgjedhjes sistematike psh. çdo e treta shtëpi në anën e majtë të rrugës ose njësi banimi në zona të banimit kolektiv. Respondenti është përzgjedhur me metodën sistematike të rastësisë, personi i cili e ka ditëlindjen e parë më të afërt i moshës mbi 18 vjet. Amvisëritë janë ri-vizituar nëse kandidati i kualifikuar për intervistë nuk ka qenë në dispozicion gjatë vizitës së parë. Anketim është bërë ballë për ballë ku anketuesi lexon pyetjet dhe shënon përgjigjen në pyetësor elektronik. Anketa ka përfshirë 1001 respodentë, 517 meshkuj dhe 484 femra, me margjinë të gabimit prej 3.1% me shkallë të besueshmërisë prej 95%. Anketa ishte pjesë e omnibus-it që ka bërë pyetje për disa klientë. Saktësia e të dhënave bazohet në metodologjinë dhe mostrën e disenjuar nga agjencia kredibile Ubo Consulting, e cila ishte përgjegjëse për anketën e gjithmbarshme, futjen e të dhënave si dhe peshimin e bazës së të dhënave.

Në pyetjen, “siç e dini zgjedhjet nacionale do të mbahen më 8 qershor, 2014. Ju lutem, a mund të na tregoni cila do të jetë zgjedhja juaj e parë për të votuar?” rezultatet janë si vijon:

 

 

Nëse hiqen votat e subjekteve pakicë (të cilëve do t’u takojnë 20 vendet e garantuara) si dhe respodentët që janë përgjigjur me ‘nuk di’, ‘tjetër’, ‘nuk kam vendosur’, apo ‘nuk kam përgjigje’, mund të nxjerret përqindja e subjekteve kryesore të cilat garojnë për 100 vendet tjera, që jep një ide të përafërt si mund të përktheheshin këto rezultate në ulëse të Kuvendit (të paraqitur në grafikonin pite në të djathtë që është kalkuluar nga D4D në bazë të të dhënave të ofruara.

Siç shihet në grafikonin e parë, afër 10% që votuesve janë akoma të pavendosur. Një mënyrë për të vlerësuar se ku mund të shkojnë këto vota në ditën e zgjedhjeve është pyetja për preferencën e tyre të dytë nëse subjekti i tyre nuk do të kishte garuar. Duhet bërë qartë se kjo pyetje u është bërë të gjithë respodentëve dhe jo vetëm atyre të pavendosur. Në këtë pyetje më së miri del Lëvizja Vetëvendosje me afër një të tretën e tyre, pasuar nga LDK, AKR dhe Nisma (grafikoni më poshtë).

 

 

Shpërndarja e 10% të votuesve të pavendosur me gjasë do të përcjellë shpërndarjen e kësaj pyetje që mund të shtojë pjesërisht përqindjen VV-së, LDK-së e deri diku edhe Nismës dhe AKR-së dhe të ngushtojë rezultatin në përgjithësi. Prandaj, vlerësojmë se dallimi real në përqindjes në mes të PDK-së dhe LDK-së është rreth 2% që është brenda margjinës së gabimit. VV shënon një rritje të ndjeshme nga rezultatet e fundit. Variabla më e rëndësishme nga fillimi ka qenë performanca e Nismës dhe AKR-së, të cilat duket se do të kalojnë pragun, që dukshëm shton llogaritjet për koalicione.

Instituti D4D më tutje do të analizojë të dhënat dhe muajve në vijim do të bëjë një analizë më të thellë të pyetjeve tjera, që kanë të bëjnë me anëtarësinë dhe afërsinë ndaj partive politike, sa shpesh takohen qytetarët me zyrtarë të zgjedhur, a është më me rëndësi partia apo kandidati kur voton, a është përzgjedhja e njëjtë e partisë si në vitet 2013 dhe 2010, dhe këto kryqëzohen me gjini, moshë, shkallë të arsimit, përkatësi etnike, madhësi të familjes, punësim dhe të ardhura personale.

A mund të publikojmë tani?

Media mund të hezitojnë të publikojnë këto të dhëna për shkak të paqartësive ligjore. Ne kemi konsultuar ligjin, dhe sipas Ligjit të Zgjedhjeve të Përgjithshme, nuk mund të publikohen anketa në ditën e fundit para zgjedhjeve:

 

 

Është një kontradiktë ligjore që rregulla zgjedhore 13/2013 ndalon publikimin e rezultateve në pesë ditët e fundit:

Për nga hierarkia ligjore, ligji ka peshë më të madhe ligjore sesa rregullorja, prandaj interpretimi përfundimtar e nxjerr këtë dispozitë të rregullës pa peshë ligjore kundrejt ligjit. Prandaj kemi ardhur në përfundim që anketat mund të publikohen në këtë kohë.

 

 

Përndryshe, bëjmë thirrje tek prokuroria që të rikthejë besimin në media dhe në anketa duke sjellë para ligjit ‘anketuesit’ fantom që dëmtojnë interesin publik, shtojnë tensionet, ndikojnë pa të drejtë në rezultate. Të gjitha anketat që nuk i janë përmbajtur nenit 47.5 (të paraqitur më poshtë) duhet të përgjigjen para ligjit.