Punëtori tre-ditore me temë “Fuqizimi i pjesëmarrjes së të rinjve në proceset politike”

27.10.2018

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) vazhdon të punojë drejt fuqizimit të pjesëmarrjes së rinisë në proceset politike, me fokus të veçantë tek të rinjtë e subjekteve politike. Për këtë qëllim, D4D është duke organizuar një punëtori në Mavrovë, Maqedoni. Të ftuar për pjesëmarrje në këtë punëtori janë të rinjtë të subjekteve politike nga pesë komunat më të mëdha të Kosovës, ku temat kryesore të diskutimit gjatë kësaj punëtorie tre-ditore janë konceptet politike, ideologjitë, legjitimiteti, dhe përmirësimin e aftësive të komunikimit dhe paraqitjeve publike. Të ftuar për të ligjëruar dhe bashkëbiseduar në lidhje me këto tema janë z. Fitim Mulolli, nga Fondacioni Westminster për Demokraci në Kosovë, dhe z. Adriatik Kelmendi, ligjërues i komunikimit masiv ne kolegjin AAB por njëkohësisht edhe producent i emisionit televiziv “Rubikon”.

Dita e parë dhe e dytë e punëtorisë u ligjërua nga z. Mulolli, si ekspertë i temës mbi ideologjitë e subjekteve politike, ku të rinjtë patën mundësinë të dëgjojnë dhe të diskutojnë mbi prejardhjen e ideologjive politike, hartimi i tyre, implementim i tyre dhe rëndësia e të pasurit ideologji për subjektet politike. Pas çdo ligjerate, të rinjtë janë ndarë në grupe të përziera ku si detyrë kanë pasur të formojnë një subjekt politik dhe hartojnë ideologjinë e atij subjekti, e cila do të ishte ideale për ta udhëhequr shtetin. Këto ide janë prezantuar para pjesëmarrësve të tjerë, duke nxitur kështu debat rreth ideologjive të ndryshme të udhëheqjes së një shteti. Në anën tjetër, ky aktivitet u ka mundësuar pjesëmarrësve të njihen më shumë me njëri-tjetrin dhe të menduarit politikë.

Ndër të tjera, përveç trajnimit, edukimit dhe avancimit të pjesëmarrjes së të rinjve në proceset politike dhe vendimmarrëse, D4D është duke organizuar punë në grupe me të rinjtë në mënyrë që të krijoj frymë pozitive shoqërore dhe bashkëpunuese pa marrë parasysh se cilit subjekt politik i përkasin, si dhe duke i inkurajuar që të pranojnë dallimet mes veti dhe të mendojnë jashtë kutisë.

Kjo punëtori është duke u realizuar në kuadër të projektit “Fuqizimi i pjesëmarrjes së të rinjve në proceset politike”, që po implementohet nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), më mbështetje të National Endowment Democracy (NED).