Nënshkrimi i Deklaratës për rritjen e përfshirjes së grave në proceset zgjedhore

16.09.2015

Nën organizimin e Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D) është mbajtur ceremonia e nënshkrimit të Deklaratës për rritjen e përfshirjes së grave në proceset zgjedhore.

Ceremonia e nënshkrimit ka mbledhur bashkë subjektet politike të cilat kanë arritur pajtueshmëri që të trajtojnë një çështje të interesit të përgjithshëm shoqëror, siç është barazia gjinore në proceset zgjedhore.

Deklarata e nënshkruar synon rritjen e përfaqësimit të grave në trupat menaxhuese të zgjedhjeve që nga niveli qendror, në nivel komunal dhe në nivel të vendvotimeve. Në nivel vendi, synohet që të arrihet përfaqësim prej të paktën 40% dhe deri në arritjen e përfaqësimit të barabartë për të dy gjinitë. Po ashtu, Deklarata përmbanë zotimin e subjekteve politike për hartimin e strategjive dhe planeve për rritjen e pjesëmarrjes së grave si dhe përmirësimin e strukturës gjinore përbrenda partive.

Nënshkrimi i Deklaratës për rritjen e përfshirjes së grave në proceset zgjedhore është një nga shumë aktivitet që D4D ka zhvilluar në bashkëpunim me Fondacionin Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES), financuar nga Agjencioni për Zhvillim Ndërkombëtar i Shteteve të Bashkuara (USAID) me qëllim të sensibilizimit të shoqërisë për përfitimet në pjesëmarrjen e barabartë gjinore në proceset zgjedhore.

Në ceremoninë e nënshkrimit të Deklaratës morën pjesë përfaqësues të subjekteve politike, institucioneve, ambasadave të akredituara në Kosovë, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile.