Mundësitë për të rinjtë/rejat në tregun e punës

01.08.2018

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në vazhdimësinë e sesioneve informuese në komuna, me fokus në mobilitetin e fuqisë punëtore, ka mbajtur sesionin e radhës në komunën e Pejës. Pjesë e diskutimit në këtë sesion informues ishin Drejtori i Qendrës së Punësimit në Pejë, z. Bujar Demaj, si dhe Shefja e Sektorit të Rinisë, znj. Jeta Nushi nga Departamenti për Kulturë, Rini dhe Sport. Ky aktivitet u organizua në bashkëpunim me Këshillin e Veprimit Rinor Lokal në Pejë në kuadër të projektit “Mobiliteti i Fuqisë Punëtore dhe Mundësitë për të Rikthyerit/at”.

Sesioni informues është fokusuar rreth punës dhe mundësive që Qendra e Punësimit ofron, indikatorët dhe statistikat për numrin e të papunëve në komunën e Pejës, identifikimin e problemeve dhe zgjidhjet e mundshme për adresimin e këtyre problemeve. Z. Demaj ndër të tjera fokusin e fjalimit të tij në këtë sesion informues e barti te pjesa e mundësive të punësimit të rinjve/rejave përmes Qendrës së Punësimit, ku në përgjithësi tregoj për profesionet më të kërkuara dhe mundësitë e trajnimeve profesionale të cilat i ofron kjo qendër. Ndërsa, znj. Nushi, theksoi se trajnimet dhe arsimimi në vendet perëndimore të cilën mund ta shfrytëzojnë të rinjtë/rejat për ngritjen e kapaciteteve intelektuale dhe profesionale, mund të shërbej edhe për të mirën e vendit tonë, duke inkurajuar të rinjtë/rejat pjesëmarrës/e ta shfrytëzojnë migrimin legal si të vetmen alternativë.

Të rinjtë/rejat ishin të interesuar për më shumë informata rreth profesioneve të kërkuara dhe për kërkesat të cilat vijnë në Qendrën e Punësimit në Pejë si dhe të marrin informata mbi trajnimet të cilat ofrohen përmes kësaj qendre.

Ky aktivitet është i mbështetur nga GIZ/DIMAK