Lansimi i punimit “Ndryshimi i paradigmës – Barazi përmes lejes prindërore”

20.12.2017

Prishtinë, 19 dhjetor 2017 – Instituti Demokraci për Zhvillim lansoi punimin “Ndryshimi i paradigmës – Barazi përmes lejes prindërore”.

Ardiana Gashi, anëtare e bordit të D4D-së, tha se zhvillim ekonomik i shtetit arrihet duke ofruar mundësi të barabarta për të dyja gjinitë. Pushimi i tanishëm i lehonisë është diskriminues jo vetëm në raport të mos-lejimit të burrave të marrin pjesë në jetën e fëmijëve por dhe si i tillë sjell pasoja ekonomike duke dekurajuara gratë të mos kërkojnë punë. Vesel Makolli, zëvendësministër i Punës dhe Mirëqenies sociale tha se për mirëqenien e fëmijëve kërkohet prania e të dy prindërve. Ligji i ri i punës i cili do të amandamentohet do të krijoj edhe dispozitat e reja për lejen prindërore, dispozita të cilat do të jenë në harmoni me direktivat e Bashkimit Evropian. Në anën tjetër Visare Gorani – Gashi nga Ambasada Suedeze në Prishtinë tha se në Kosovë ndryshimet zhvillimore dhe legjislacioni ekzistues janë evidente dhe përparimtare, megjithatë duhet ende punë që ato të reflektohen në marrëdhëniet ndër shoqërore si dhe ato familjare.

Të gjeturat e hulumtimit kanë treguar se burrat në Kosovë janë të gatshëm të marrin leje prindërore në momentin që ju ofrohet kjo mundësi dhe sidomos pas muajit të gjashtë. D4D propozon ndryshim në sistemin aktual, të atillë që garanton lejen e lindjes, të atësisë dhe një leje prindërore të pa transferueshme për nënën dhe babanë, së bashku me një ndarje të lejes me pagesë dhe pa pagesë. Ky model është një skemë e lejes prindërore, ku 4 muaj i ndahen nënës si leje e lindjes – 70% e pagës së saj bazë; 1 muaj i ndahet babait si leje e atësisë – 70% e pagës së tij bazë. Përveç kësaj, familja merr 8 muaj leje prindërore, nga të cilët katër muaj ndahen për nënën. Dy muaj të lejes prindërore për nënën mbulohen me shkallen prej 50% të pagës mesatare në vend nga ana e shtetit dhe dy muaj janë pa pagesë. Katër muaj e mbetur i ndahen babait. Dy muaj e lejes prindëror për babain mbulohen me shkallen prej 50% të pagës mesatare në vend nga ana e shtetit dhe dy muaj janë pa pagesë. Në këtë skemë familja merr gjithsej 9 muaj pushim me pagesë dhe 5 muaj pushim pa pagesë.

Përkohësisht D4D, propozon që leja e lindjes dhe ajo e atësisë të mbulohen nga punëdhënësit. Porsa fondi i sigurimit shëndetësor të jetë aktiv dhe funksional, kostot e lejes së lindjes dhe asaj të atësisë duhet të mbulohen nga ky fond. Leja prindërore në atë rast, pastaj do të mbulohej nga shteti. Pra leja e lindjes, e atësisë dhe leja prindërore dhe kujdesi të trajtohen si përgjegjësi kolektive.

Poashtu Instituti D4D ndau çmimet për baballarët e vitit të cilët janë shembull të ndarjes së barabartë të përgjegjësive me partnerët e tyre: Arben Brovina, Musa Sahiti, Besnik Salihu dhe Pajtim Smolica. Ndërsa kompania e vitit që promovon lejen e atësisë u shpall Baruti GmBH.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Leja prindërore për barazi gjinore”, që implementohet nga Demokraci për Zhvillim nga Prishtina, e financuar nga Qendra Ndërkombëtare Olof Palme dhe e mbështetur nga Qeveria e Suedisë.