• Shqip

Lansimi i dy raporteve per përfshirjen e grave në TMZ dhe manualit për barazi gjinore në Procese zgjedhore

08.02.2016

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) dhe Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES), me përkrahje të Agjencionit të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), lansuan dy raporte: “Përfshirja e Grave në Trupat Menaxhuese Zgjedhore në Kosovë” të publikuar nga IFES dhe “Manualit për Barazi Gjinore në Procese Zgjedhore” të publikuar nga D4D.

Gjatë lansimit, z. Randall Olson nga USAID, theksoi që nisma të tilla për përfshirjen e grave në trupat menaxhues të zgjedhjeve çon drejt një procesi demokratik duke inkurajuar gratë të votojnë, si dhe duke rritur legjitimitetin në procesin zgjedhor. Nënshkrimi i deklaratës nga D4D para disa ditësh, në mes institucioneve që merren me zgjedhje, u vlerësua si hap me rëndësi në një proces demokratik, ndërsa këto dy raporte ndihmuan më tutje rritjen e mundësive të grave që të jenë të përfshira në procesin zgjedhor dhe shërbejnë si mekanizma për fuqizimin e procesit zgjedhor dhe demokratik.

Në raport me rajonin, Kosova qëndron më keq me statistika rreth përqindjes së personelit zgjedhor gra. Në zgjedhjet paralmentare 2014, vetëm 20% e personelit zgjedhor të përbërë mbi 18.000 persona, kanë qenë gra.

Raporti “Përfshirja e Grave në Trupat Menaxhuese Zgjedhore në Kosovë” është produkt për të kuptuar më mirë arsyet dhe barrierat për pjesëmarrjen e vogël të grave në procese zgjedhore. Në raport prezantohen gjetjet për barrierat dhe përfitimet e përfshirjes së grave në procese zgjedhore. Raporti vlerëson se përfshirja e grave në menaxhimin e zgjedhjeve ndikon në rritjen e numrit të daljes në votime nga radhët e grave votuese, duke krijuar një grup të grave të kualifikuara të cilat pastaj mund të angazhohen në nivelet e vendimmarrjes, dhe në rritjen e cilësisë së procesit zgjedhor, i cili në fund të fundit çon në zgjedhje me më shumë legjitimitet dhe të pranuara gjerësisht.

Doracaku për Barazi Gjinore në Procese Zgjedhore” është përgatitur për t’i ndihmuar akterët zgjedhorë për ta kuptuar rëndësinë e dhënies së një roli aktiv për gratë, për të rritur ndërgjegjësimin publik, si dhe për të ofruar zgjidhje domethënëse për një problem domethënës. Kuota gjinore prej 30% për listat e kandidatëve ka rezultuar në zgjedhje të më shumë grave drejtpërsëdrejti, pa pasur nevojë për kuotë. Për herë të parë, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, 20 nga 39 gratë deputete nuk kishin nevojë për kuotë për t’u zgjedhur. Megjithatë, përderisa në kuvend shohim një numër gjithnjë më të madh të grave të zgjedhura si deputete, përfshirja e tyre në proceset zgjedhore ende çalon.

Tre akterët kryesorë zgjedhorë që mund të ofrojnë ndihmë aktive janë KQZ-ja, subjektet politike dhe OSHC-të. KQZ është përgjegjëse për menaxhimin e zgjedhjeve, dhe përmes kësaj pozite aktivisht mund ta promovojë gjithë-përfshirjen, dhe në disa raste ta sigurojë që; partitë politike mund të arrijnë progres të konsiderueshëm në zgjedhje dhe vendimmarrje, të përfshijnë më shumë gra; ndërsa OSHC-të janë në pozitë të mirë për të siguruar se gratë gëzojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe për të punuar në zgjedhje.