Diskutim në Mitrovicën veriore me temën “Integriteti i zgjedhjeve në Kosovë”

30.07.2018

Instituti Demokraci për Zhvillim në bashkëpunim me Organizatën AKTIV janë duke implementuar projektin “Avancimi i Proceseve Demokratike në Kosovë”, në kuadër të së cilit është mbajtur diskutimi i radhës në Mitrovicën Veriore me temën “Integriteti i zgjedhjeve në Kosovë”. Ky diskutim është përkrahur nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës, përmes Ambasadës Zvicerane në Prishtinë.

Të drejtat zgjedhore dhe integriteti i zgjedhjeve në Kosovë ishin fokusi i këtij diskutimi, pjesë e  së cilit ishin përfaqësues nga Komisioni Qendror Zgjedhor, Paneli për Ankesa dhe Parashtresa, Prokuroria në Mitrovicën Jugore, aktivistë të shoqërisë civile si dhe përfaqësues të ambasadave dhe misionit për vëzhgimin e zgjedhjeve të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Diskutimi u fokusua në rëndësinë e institucioneve përgjegjëse në ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor, ku panelistët  sqaruan procedurat që ndërmerren që nga caktimi i datës së zgjedhjeve e deri tek  shpallja e rezultateve përfundimtare, dhe hapat që duhet ndërmerren për përmirësimin dhe anashkalimin e parregullsive në zgjedhje. U theksua se është e domosdoshme të ketë barazi, transparencë, gjithë përfshirje si dhe bashkëpunim ndër institucional. Të ketë edukim më të madh në aspektin e votimit por edhe të parashtrimit të ankesave nga qytetarët apo subjektet politike.

Vend të rëndësishëm në këtë tryezë u la edhe për rekomandimet nga pjesëmarrësit karshi institucioneve. U sugjerua të zgjidhet çështja e afateve kohore në procesin e ankesave, të ketë lidhje më të mirë me komuna dhe komisionet komunale zgjedhore, të bëhet thjeshtimi i fletëvotimeve në mënyrë që të reduktohet numri i madh i atyre të pavlefshme, të bëhet pastrimi i listave nga regjistri civil, si dhe të gjendet ndonjë zgjidhje për të mundësuar votimin për personat e zhvendosur në Serbi dhe diasporë.

Zgjedhjet duhet të jenë të drejta dhe të barabarta për të gjithë në mënyrë që votuesit dhe personat të cilët janë të përfshirë në trupat menaxhues zgjedhor mos të ndihen të kërcënuar për të ushtruar të drejtën e tyre për të punuar dhe votuar, andaj edhe duhet të ketë mobilizim më të madh që në zgjedhjet e ardhshme të mos ndodhin gjëra të tilla.

Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit “Avancimi i proceseve demokratike”, i cili implementohet nga Demokraci për zhvillim (D4D), me përkrahje nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës, përmes Ambasadës Zvicerane në Prishtinë.