D4D mban konsultim me gazetarë

28.08.2015

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) mbajti një konsultim me gazetarë për të diskutuar rreth politikbërjes në Kosovë. Politikbërja u vlerësua si njëra nga çështjet prioritare ku duhet të fokusohet pasi që është hallka e parë në zingjirin e zhvillimit. Po ashtu u diskutua rreth tre koncept dokumenteve që Instituti D4D ka përpiluar në bashkëpunim me ministrinë e diasporës, ministrine e punës dhe mirëqenies sociale, dhe zyrën për planifikim strategjik – zyrja e kryeministrit.

Për politikbërjen u diskutua se si njëra nga barrierat më kryesore që Kosova ka mungesë të politikave të mira është mos-komunikimi gjithpërfshirës. Përderisa disa ministri të caktuara ndërmarrin politika, që doemos do të involvojne edhe institucione të tjera, dhe në ato diskutime nuk marrin pjesë institucionet që do të involvohen atëherë kjo do të rezultojë në politika jo të mira. Gjithashtu grupi i monitorimit të politikave të implementuara duhet të përmirësohet, ose të formohet një grup tjetër, që të merren me evaluimin e efekteve të aktiviteteve të ndërmarra e jo me numrin e aktiviteteve.

Sa i përket koncept dokumentit për votimin jashtë vendit, si çështje parësore u trajtua mungesa e numrit të saktë të diasporës të Kosovës. Gjithashtu, edhe tek koncept dokumenti për asistencën sociale, pensionet, dhe punësimit u pa që ka mungesë, ose diskrepancë, të statistikave e sidomos tek papunësia. Çështja e mungesës së statistikave janë problem që është i dukshëm në të gjitha sferat dhe si pasojë nuk kemi indikatorë real mbi të cilët mund të bazojmë politika të mirëfillta.

Nga ky diskutim u arrit një konsensus se duhet të punohet rreth çështjes së komunikimit më gjithpërfshirës të të gjithë institucioneve dhe akterëve politik, ndryshimin e monitorimit nga matja kuantitative e arritjeve në matje kualitative të efekteve, dhe përmirësimi i situatës së tanishme të mungesës së indikatorëve.