D4D mbajti konferencën për lansimin e punimit për votimin nga jashtë

01.11.2018

Të mërkurën, më 31 tetor, u mbajt konferenca për lansimin e punimit “Votimi nga jashtë vendit: Shqyrtimi i politikave dhe rekomandime praktike” të përgatitur nga instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) dhe Demokraci Plus (D+).

Në këtë konference u prezantuan të gjeturat nga punimi mbi sistemin zgjedhor dhe votat nga jashtë, problemet dhe rekomandimet për përmirësimin dhe reformimin e sistemit zgjedhor për shmangien e keqpërdorimeve në zgjedhjet e ardhshme. Gjatë diskutimit u theksua rëndësia për reformë zgjedhore dhe rregullimi i mënyrës së votimit për diasporën, duke cekur edhe problemet kyçe që kemi hasur gjatë zgjedhjeve të fundit lokale në Kosovë, sidomos rasti në komunën e Istogut. Gjithashtu u propozuan mënyra të ndryshme të organizimit të zgjedhjeve për kosovarët që jetojnë jashtë vendit, ku njëra prej tyre ishte edhe mundësia e votimit fizik apo dërgimit të votës me postë nëpër konsullatat apo ambasadat e Kosovës në shtetin ku bashkatdhetarët tanë jetojnë.

Në anën tjetër, të pranishmit gjithashtu theksuan rëndësinë e informimit të votuesve në lidhje me procesin zgjedhor dhe të shtohen mekanizmat e informimit edhe për votuesit që jetojnë në diasporë, jo vetëm për qytetarët që jetojnë në Kosovë. Sipas të pranishmëve, këtë barrë duhet ta ketë KQZ-ja, por me ndihmë edhe të organizatave të shoqërisë civile.
Gjithashtu, u diskutua edhe për regjistrimin e votuesve jashtë vendit, ku pjesa më e madhe e të pranishmëve ishin të pajtimit që KQZ duhet të shqyrtoj mundësinë e zhvillimit të një platforme elektronike për regjistrim të shpejtë të votuesve, e cila pastaj do të shpërndahet nga institucionet tjera siç janë Ministria e Diasporës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punëve të Jashtme.

Të ftuar për të diskutuar mbi sistemin zgjedhor dhe votat nga jashtë ishin përfaqësuesit/et nga Sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ministria e Diasporës, organizata Germin, Avokati i Popullit, dhe organizatave të tjera joqeveritare.

Ky hulumtim është realizuar në kuadër të projektit “Avancimi i proceseve demokratike”, i cili implementohet nga Demokraci për zhvillim (D4D), me përkrahje nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës, dhe të projektit “Rritja e pjesëmarrjes qytetare në proceset zgjedhore në Kosovë” në kuadër të Koalicionit për Integritet Zgjedhor (KIZ) financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).