Cili është vullneti politik i partive politike, a duhet të ketë reformë zgjedhore apo të shkohet në zgjedhje pa reformë?

16.05.2018

Me datë 4 Maj 2018 në emisionin “Përballje” është diskutuar lidhur me reformën zgjedhore dhe nevojën për adresimin e kësaj çështjeje nga partitë politike. Ky diskutim kishte për qëllim vënien në pah të qëndrimeve të partive politike nëse janë duke e renditë Reformën zgjedhore ndër tema të mëdha dhe cili është interesi real i subjekteve politike në këtë temë. Gjithashtu për të ditur më shumë se a ka dakordim të partive politike që të mbetet i njëjtë ligj për zgjedhjet e përgjithshme.

Të ftuar për të diskutuar rreth këtyre çështjeve kanë qenë : Imri Ahmeti – Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, Rexhep Hoti – Partia Demokratike e Kosovës, PDK, Blerim Kuçi – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, Shqipe Pantina – Grupi i Deputetëve të Pavarur, GDP.

Imri Ahmeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka theksuar se është e nevojshme që partitë politike të shprehin vullnetin dhe gatishmërinë e ndërtimit të një ligji të ri zgjedhor. Ai po ashtu ka përmendur edhe tri pikat kryesore në kërkesën që ka adresuar LDK-ja ditë më parë: “Janë tri pika në kërkesën që e ka adresua LDK: e para është që për çështjet kyçe në nivel vendi të ulemi dhe të dakordohemi, e dyta të vendosen parimet me të cilat do të adresohen këto çështje në nivel vendi dhe e treta është përgatitjet teknike për zgjedhjet”. Rexhep Hoti nga Patia Demokratike e Kosovës ka thënë se “Reforma mund të implikojë edhe ndryshimet Kushtetuese dhe jo që duhet vetëm një konsensus nacional në rrafshin e subjekteve politike por duhet një konsensus nacional për të gjithë komunitetet dhe duhet të rishqyrtohen disa çështje si, pragu zgjedhor, institucioni i presidentit çështja e zonave etj”.

Blerim Kuçi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke folur rreth krijimit të reformës zgjedhore ka theksuar se fillimisht është mirë që të parashtrohet pyetja se a duhet të kemi reformë zgjedhore? Ai ka theksuar se për të krijuar reformën zgjedhore, fillimisht është mirë të dimë se çfarë duam të ndryshojmë. Deputetja e Grupit të Deputetëve të Pavarur, Shqipe Pantina në emisionin “Përballje” ka thënë se kur flitet për reformën zgjedhore, flitet për dy rrafshe: e para nevoja për reformim të sistemit zgjedhor dhe e dyta nevoja për ndryshim dhe plotësim të rregullave aktuale për ti evidentuar disa të meta. Pantina më tej ka theksuar se është e nevojshme të bëhet rishikimi i Ligjit zgjedhor.

‘Ky emision u realizua në bashkëpunim me Institutin D4D ne kuadër të projektit ‘Avancimi i proceseve demokratike’ i mbështetur nga Ambasada Zvicerane, përmes Ministrisë së punëve të jashtme të Zvicrës.’