Bashkëpunimi ndër-etnik përmes punës praktike

12.08.2016

Më 11 gusht 16, u mbajt takimi i radhës me praktikantët e komuniteteve të ndryshme të përfaqësuara në Kosovë, si pjesë e projektit PEER 2 PEER.

Me qëllim të rritjes së bashkëpunimit dhe ndërveprimit ndër etnik, kryesisht në mes të komuniteteve shumicë dhe atyre pakicë të Kosovës gjithsej 14 praktikantë kanë realizuar praktikën e tyre në organizata të ndryshme të shoqërisë civile për gjashtë javë rresht.

Ky takim pati për qëllim diskutimin dhe shkëmbimin e përvojave nga praktikat e realizuara në OSHC. Të rinjtë e komunitetit serb dhe atij shqiptarë u shprehën se kjo ishte një përvojë e re për shumë prej tyre pasi që me parë nuk kishin pasur mundësi të bashkëpunojnë me komunitetin tjetër. Edhe pse periudha e praktikës e cila u cilësua si e shkurtër prej anës së vet praktikantëve, shumë prej tyre kishin arritur të mësonin gjëra të reja, e madje në disa raste edhe kishin lindur ide për bashkëpunime të mëtutjeshme.

Pjesëmarrësit gjithashtu falënderuan institutin D4D dhe OJQ-në CDKD, si dhe donatorin AKT LS për krijimin e një mundësie të këtillë të bashkëpunimit.

PEER 2 PEER është projekt i institutit Demokraci për Zhvillim-D4D në partneritet me Qendrën për Depolitizimin e Shoqërisë së Kosovës-QDSHK, me financim të USAID, përmes programit Avancojmë Kosovën së Bashku- Alternativa Lokale.